Gaza e pas luftës duhet të qeveriset nga palestinezët pa ndërhyrjen e forcave të jashtme.
Kështu pretendon zëdhënësi i Hamas, Hazem Qasim, duke sinjalizuar pengesat në të cilat do të ndeshet plani i Trump për paqen, shkruan A2.
Më 9 tetor, grupi militant dhe Izraeli u dakordësuan mbi fazën e parë të planit 20-pikësh, që përfshinte armëpushimin dhe krijimin e disa pengjeve dhe të burgosurve.
Por, Hamas kërkoi diskutime të mëtejshme lidhur me pika të tjera, si qeverisja e pasluftës dhe tërheqja e trupave izraelite.
Në një intervistë, Qasim ndan pikëpamjet e tij lidhur me planin, duke theksuar se shume prej çështjeve mbeten të kontestuara. Po ashtu, zëdhënësi i Hamas shton se rezistenca e tyre kundër Izraelit nuk do të ndalet.
"Shumë nga çështjet në planin e Trump kërkojnë diskutim të mëtejshëm. Palestina duhet të forcojë konsultimet e brendshme dhe mirëkuptimin e ndërsjellë për të parandaluar ndërhyrjet e jashtme. Propozimet aktuale përmbajnë shumë pika të diskutueshme; siç kanë thënë njerëzit e Gazës, qeverisja e Rripit të Gazës pas luftës duhet të udhëhiqet nga palestinezët. Ne nuk do të lejojmë asnjë forcë të jashtme të ndërhyjë. Ne palestinezët jemi të aftë për vetëqeverisje, për të krijuar mekanizma të konsultimit të brendshëm politik dhe për të përjashtuar ndërhyrjet e jashtme. Përvojat e kaluara në marrëdhëniet me Izraelin tregojnë se ata nuk i respektojnë marrëveshjet. Ne kemi qenë dëshmitarë të situatave të ngjashme në Siri, Liban dhe Bregun Perëndimor. Prandaj ne këmbëngulim që ndërmjetësit të ofrojnë garanci të rrepta sigurie. Lufta jonë me Izraelin nuk ka ndaluar kurrë. Ne do t'i përshtasim metodat tona të luftës sipas rrethanave në ndryshim, veçanërisht pas shkatërrimit masiv që ka pësuar Gaza, por kjo nuk do të thotë se rezistenca ka mbaruar. Populli palestinez gëzon ende forcë të madhe dhe është i aftë ta vijojë luftën me mjete të tjera përveç mbajtjes së pengjeve”, tha Qasim. (A2 Televizion)