Autoritetet federale në SHBA njoftuan të enjten se shqetësimet po rriten në vend për sasitë e karkalecave të ngrira që mund të jenë ekspozuar ndaj kontaminimit radioaktiv.
Southwind Foods me seli në Kaliforni po tërheq nga tregu karkalecat e ngrira të shitura nën markat Sand Bar, Arctic Shores, Best Yet, Great American dhe First Street. Produktet e paketuara u shpërndanë në dyqane dhe shitës me shumicë midis 17 korrikut dhe 8 gushtit në nëntë shtete: Alabama, Arizona, Kaliforni, Massachusetts, Minesota, Pensilvani, Utah, Virxhinia dhe Uashington.
Autoritetet thonë se produktet mund të jenë kontaminuar me cezium-137, një izotop radioaktiv i prodhuar si nënprodukt i reaksioneve bërthamore.
Më herët këtë javë, dyqanet Walmart tërhoqën gjithashtu pako me karkaleca të ngrira të papërpunuara Great Value në 13 shtete për shkak të shqetësimeve rreth kontaminimit të mundshëm radioaktiv.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) lëshoi një alarm sigurie pasi inspektorët federalë gjetën cezium-137 në kontejnerë që mbërritën në katër porte amerikane dhe në një mostër të karkalecave të ngrira të importuara nga kompania indoneziane BMS Foods.
FDA po këshillon konsumatorët të mos konsumojnë produktet e tërhequra.
Ceziumi-137 zbulohet përgjithësisht në mjedis - në ushqim, tokë dhe ajër - por rreziku kryesor për shëndetin lind nga ekspozimi afatgjatë dhe i përsëritur në doza të ulëta, të cilat mund të rrisin gjasat e zhvillimit të kancerit. (A2 Televizion)