
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbajtur një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pas kthimit nga vizita e tij në Azi, ku foli për zhvillimet ndërkombëtare, luftën me Iranin dhe takimin e tij me presidentët e Kinës dhe Rusisë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin.
Gjatë konferencës, Trump akuzoi Iranin se nuk ka treguar vullnet për të zhvilluar negociata serioze me qëllim përfundimin e luftës. Ai nuk dha detaje të mëtejshme për mundësinë e një marrëveshjeje, por komentet e tij vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Një tjetër çështje që presidenti amerikan bëri të ditur ishte plani për të kufizuar kompanitë amerikane nga ndërtimi i qendrave të të dhënave jashtë vendit.
Trump u ndal edhe te takimi trepalësh me presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësin kinez Xi Jinping, duke e cilësuar atë si historik. Sipas tij, bëhet fjalë për takimin e parë të këtij formati mes udhëheqësve të tri fuqive botërore.
Ai vlerësoi gjithashtu dakordësinë për zhvillimin e bisedimeve të ardhshme mbi uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore. Megjithatë, nga samiti nuk u njoftuan përparime konkrete për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Trump deklaroi se Putin i kishte thënë se konflikti nuk do të kishte nisur nëse ai do të ishte president në vitin 2022. Kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti bindjen e tij se lufta mund të ishte shmangur. (A2 Televizion)