Partneritet në mbrojtje dhe energji bërthamore, presidenti i zgjedhur i Indonezisë kërkon të forcojë lidhjet me Rusinë

Nga A2 CNN
1 Gusht 2024, 16:05 | Bota

Partneritet në mbrojtje dhe energji bërthamore, presidenti i zgjedhur

Presidenti i zgjedhur i Indonezisë, Prabowo Subianto, tha se administrata e tij e ardhshme do të ruajë lidhjet me "mikun e madh" Rusinë, pas takimit me Presidentin Vladimir Putin, duke shtuar se shpresonte për një bashkëpunim më të fortë në fushën e mbrojtjes, energjisë dhe arsimit.

Prabowo, i cili aktualisht është ministër i Mbrojtjes, do të marrë presidencën nga Joko Widodo në tetor. Momentalisht, ai është në një udhëtim në Moskë ku dhe u takua me Putinin. “Ne e konsiderojmë Rusinë si një mik të madh”, tha ai në një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes. "Unë do të doja të vazhdoja të ruaja dhe përmirësoja këtë marrëdhënie. Në historinë tonë ne kujtojmë se Rusia na ka ndihmuar gjithmonë në shumë aspekte kur ishim në vështirësi", shtoi ai.

Prabowo shprehu gjithashtu synimin e tij për të vazhduar një partneritet në mbrojtje dhe energji bërthamore, si dhe për të dërguar studentë indonezianë në Rusi për të studiuar mjekësi. Putin u citua nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, të ketë thënë se Rusia është e gatshme të "rrisë furnizimet me produkte bujqësore, të zbatojë projekte investimi në fushën e energjisë, transportit dhe infrastrukturës për Indonezinë.
(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos