
Spanja kërkon që Bashkimi Europian t’i japë fund marrëveshjes së asociimit me Izraelin për shkak të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, deklaroi kryeministri Pedro Sánchez.
“Të martën, qeveria e Spanjës do t’i paraqesë një propozim BE-së që Bashkimi Europian të ndërpresë marrëveshjen e asociimit me Izraelin,” tha Sánchez gjatë një tubimi politik në Andaluzi.
Ai theksoi se Izraeli “shkel të drejtën ndërkombëtare” dhe për këtë arsye “nuk mund të jetë partner i Bashkimit Europian, është kaq e thjeshtë”.
Spanja, Irlanda dhe Sllovenia dërguan një letër në Komisionin Europian të premten, duke kërkuar që marrëveshja me Izraelin të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të ministrave të jashtëm të BE-së.
Marrëveshja e asociimit mes BE-së dhe Izraelit, e nënshkruar në qershor të vitit 2000, përfshin një klauzolë që kërkon respektimin e të drejtave të njeriut.
Spanja dhe Irlanda kishin kërkuar për herë të parë rishikimin e kësaj marrëveshjeje në vitin 2024, në mes të luftës në Gaza. Kryeministri spanjoll ka kritikuar gjithashtu sulmet e Izraelit ndaj Libanit.
Njohja nga Madridi e një shteti palestinez në vitin 2024 shkaktoi zemërim në Izrael, ndërsa Sánchez ka shtuar kritikat ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahu që nga ajo kohë. (A2 Televizion)