Edhe një herë, kryeministri Edi Rama dënoi dhunën në protestë. Në ditën e 11-të, me anë të një monologu para kamerës, në selinë e qeverisë, ai doli me idenë se revolta ishte organizuar muaj më parë.
“Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tanimë në duart e Policisë së Shtetit. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit “Antifa”, rrjeti i terrorit urban që, në emër të neokomunizmit, anarkisë dhe antikapitalizmit, ka vendosur të futet në jetën e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë së Shtetit”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
Përpos “Antifa”-s, Rama thotë se ka informacione edhe për ata që sponsorizojnë protestën kundër tij.
“Në duart e Policisë së Shtetit janë edhe pjesëmarrësit, apo më saktë, një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para të ardhura nga jashtë, ku padyshim qershia mbi tortë, ose më saktë, glasa mbi tortë, është Partia Demokratike, e cila madje mori edhe autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit”, shtoi ai.
Ndërsa për financuesit nuk flet me emra të përveçëm, për pjesëmarrësit e dhunshëm, sipas pretendimeve të tij, Edi Rama publikoi fytyrat e 45 personave dhe citoi veprat penale, si dhe inicialet që, sipas tij, u përkasin personave me precedentë penalë.
“J. S., 20 vjeç, por jo student, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar. Këta nuk janë studentët. E kam thënë që në krye të herës, këta nuk janë studentët. Dhe tani është koha që, ditë pas dite, rast pas rasti, fjalia “këta nuk janë studentët” të mbështetet me fakte, të mbështetet me dokumente”, tha Rama.
Sapo kryeministri mbylli monologun e tij, poshtë zyrës së tij, në bulevard, doli një prej të rinjve të akuzuar, pjesë e asaj që u cilësua si „lista e zezë“ e kryeministrit. Pa maskë dhe pa gurë në duar.
Pas përgënjeshtrimit të studentit të mjekësisë, kryeministri nuk ka pasur asnjë reagim. (A2 Televizion)