“Për këtë ia vlen të vdesësh!”, fotoreporterja palestineze dokumenton tmerret e luftës

Nga A2 CNN
15 Korrik 2024, 14:29 | Bota

Gjëja e parë që bën Samar Abu Elouf para se të fotografojë një fëmijë të vdekur është të sigurohet që ai të mos jetë i saji. Ndjenjat e frikës dhe panikut e mposhtin fotoreporteren, fituese të shumë çmimeve dhe nënë e katër fëmijëve, e cila nuk bën asnjë përpjekje për të fshehur lotët dhe dhimbjen e saj, teksa fotografon skena të tmerrshme në Gaza.

Kanë kaluar më shumë se 10 vjet që kur Abu Elouf u bë fotoreportere, duke sfiduar rolet tradicionale gjinore dhe duke hapur shtigje të reja për gratë në territorin palestinez të pushtuar nga Izraeli. 

“Fotografitë e kufomave më lëndojnë më shumë. Një nga më të këqijat ishte një foto e 170 trupave të vdekur, të gjithë të grumbulluar njëri mbi tjetrin. Këta janë qenie njerëzore, jo thasë me mish, gjak dhe kocka. Trupa të të gjitha madhësive, nga të sapolindurit tek gjyshërit. Këta janë njerëz që ëndërronin të jetonin dhe kishin shpresë se do t'i mbijetonin luftës”, thotë ajo.

Izraeli nisi luftën e tij në Gaza pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe qindra të tjerë u morën peng. Në nëntë muaj që nga ai sulm, fushata e bombardimeve të Izraelit dhe ofensiva tokësore në Gaza ka vrarë më shumë se 38 000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.

Për muaj të tërë, Abu Elouf flinte në pjesën e pasme të makinës së saj, duke përdorur banjën një herë në ditë dhe duke ngrënë atë pak ushqim që mund të gjente. E vendosur për të treguar historitë e luftës, Abu Elouf nuk pushoi kurrë së punuari, as kur bombat i vranë anëtarët e familjes dhe shkatërruan shtëpinë e saj në qytetin e Gazës.

“Unë nuk jam thjesht një person me një aparat fotografik, unë jam një qenie njerëzore. Teksa po bëj këto foto, e di që ajo që po shoh nuk është normale. Të jesh gazetar në Gaza të duket sikur po vdes nga brenda pa pushim.”

Ebu Elouf ishte 26 vjeç dhe nënë e tre fëmijëve kur vendosi se donte të ishte më shumë se një grua e bindur dhe shtëpiake e përkushtuar. “Kur e kam jetuar atë jetë, gjithmonë kam ndjerë se diçka mungonte. Isha kaq e re dhe papritmas jeta ime nuk u duk më si e imja. Kam ëndërruar të studioj, të bëj diçka kuptimplote për veten dhe njerëzit e mi”, thotë Abu Elouf.

Ajo eksploroi disiplina të ndryshme, shkrim, marrëdhënie me publikun, madje edhe kontabilitet, por asgjë nuk i fliste asaj si fotografia. “Nuk është thjesht një foto, është shpirti që shoh pas fotos.”

Kur ish-bashkëshorti i saj dhe familjarët e qortuan për dëshirën për të studiuar fotografi, ajo doli fshehurazi nga shtëpia dhe e bëri gjithsesi. Brenda një viti, një seri fotografish që Abu Elouf kishte bërë për gratë dhe fëmijët palestinezë u zgjodh në një ekspozitë universitare në Gaza. Një vit më pas, ndërsa përdorte pajisje të huazuara, ajo fitoi një konkurs fotografish të organizuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë (UNRWA).

Pavarësisht nga rreziqet e profesionit të saj, Abu Elouf thotë se nuk ka frikë të vdesë. “Nuk e di si është të ikësh nga rreziku, vrapoj vetëm drejt tij. Edhe kur bie një raketë, unë nuk trembem. Detyra ime nuk është të fshihem, është të fotografoj. Edhe kur të gjithë rreth jush po bërtasin, duke mbuluar veshët ndërsa raketat po bien dhe ata po përpiqen të gjejnë një vend për t'u fshehur, ju nuk shikoni poshtë, përqendroheni tek ata. E vetmja gjë që më frikëson, është mundësia për të humbur fëmijët e mi", thotë ajo.

Që nga 7 tetori, të paktën 108 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në sulmet ajrore dhe sulme të tjera izraelite, 103 prej të cilëve janë palestinezë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Megjithatë, Ebu thotë se nuk ka frikë dhe se do të vazhdojë punën e saj deri në fund.

“Unë punoj për të kapur histori, për ta bërë botën të shohë. Për këtë ia vlen të vdesësh.”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos