Rusia ishte një nga vendet që u lanë jashtë listës së tarifave të vendosura nga Presidenti Donald Trump ndaj shumë shteteve të botës.
Sipas mediave të huaja, duke folur më herët këtë pasdite, përfaqësuesi i tregtisë Jamieson Greer tha se kjo nuk është një mënyrë për të rigjallëruar tregtinë me Moskën.
Megjithatë sipas tij, varet nga Presidenti nëse ai dëshiron të vendosë ndonjë taksë në të ardhmen ndaj Rusisë, shkruan A2 CNN.
Greer shtoi se Rusia tashmë po përballet me sanksione dhe embargo të rënda të SHBA-së, siç janë Bjellorusia, Kuba dhe Koreja e Veriut.
I pyetur për përgjigjen globale ndaj tarifave të Trump, Greer tha se ai ka pasur "një numër bisedash" me Mbretërinë e Bashkuar.
Ai gjithashtu argumentoi se shumica e vendeve nuk janë hakmarrë.
"Gjëja e parë që duhet theksuar është se pothuajse të gjitha vendet kanë njoftuar se nuk do të hakmerren kundër Shteteve të Bashkuara," tha ai, shkruan A2 CNN.
“Natyrisht, ne kemi Kinën, e cila ka bërë zgjedhjen e saj”, shtoi ai më tej. (A2 Televizion)