Pas 12 ditëve luftë, në Lindjen e Mesme mbizotëron paqja. Irani dhe Izraeli janë pajtuar për një armëpushim afatgjatë të imponuar nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, u kërkoi palëve që të mos e shkelin atë.
“Armëpushimi tani është në zbatim. Ju lutem, mos e shkelni atë!”, tha Trump.
Qeveria e Izraelit ka pranuar të ulë armët në drejtim të Iranit, por jo në Gaza, duke pohuar se janë përmbushur të gjitha objektivat e luftës ndaj Teheranit. Tel Avivi pretendon se ka eliminuar kërcënimin e dyfishtë ekzistencial të armëve bërthamore dhe raketore iraniane.
Nga ana tjetër, qeveria e Iranit konfirmoi që armëpushimi hyri në zbatim në orën 7:30 të mëngjesit në Teheran, pas lëshimit të një sulmi të fundit raketor nga ushtria. Gjithashtu edhe Izraeli ndërmori disa bombardime përpara se ta quante të mbyllur këtë luftë.
Bilancet janë tragjike në të dyja kampet. Izraeli thotë se të paktën katër persona kanë vdekur dhe 22 të tjerë janë plagosur në qytetin jugor të Beer-Shebës.
Ndërsa Irani konfirmon 9 viktima dhe 33 të plagosur në pjesën veriore të vendit. Paqja erdhi pas hakmarrjes së qeverisë së Teheranit ndaj sulmit amerikan të fundjavës ku u bombarduan rëndë 3 impiantet bërthamore dhe pretendohet nga Pentagoni se janë shkatërruar plotësisht aspiratat për armë nukleare. Irani lëshoi disa raketa kundër bazës së SHBA-ve në Doha, në një sulm ku Uashingtoni dhe Katari ishin njoftuar orë përpara se të kryhej.
“Irani zyrtarisht i është përgjigjur shkatërrimit tonë të objekteve të tyre bërthamore me një përgjigje shumë të dobët, të cilën e prisnim, dhe e kemi kundërshtuar në mënyrë shumë efektive. Janë qëlluar 14 raketa - 13 u rrëzuan dhe 1 shkoi në një drejtim jo kërcënues. Jam i kënaqur të raportoj se ASNJË amerikan nuk u lëndua dhe mezi u shkaktua ndonjë dëm. Më e rëndësishmja, ata e kanë nxjerrë të gjithën nga ‘sistemi’ i tyre dhe, shpresojmë, nuk do të ketë më URREJTJE. Dua të falënderoj Iranin që na dha njoftim të hershëm, gjë që bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta Irani tani mund të vazhdojë drejt Paqes dhe Harmonisë në Rajon dhe unë do ta inkurajoj me entuziazëm Izraelin të bëjë të njëjtën gjë”, tha Trump.
Megjithatë armëpushimi konsiderohet i brishtë dhe menjëherë Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer kërcënime me rikthim të luftës nëse konfirmohet ndonjë shkelje. (A2 Televizion)