Paqja në Lindjen e Mesme ka zgjatur vetëm pak orë. Ushtria izraelite thotë se ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani dhe akuzon Teheranin se ka shkelur armëpushimin.
IDF thotë se sistemet e mbrojtjes ajrore po "operojnë për të kapur kërcënimin" dhe njerëzve u kërkua të hyjnë në strehimore dhe të qëndrojnë aty deri në njoftim të mëtejshëm.
Irani nuk e ka konfirmuar sulmin, por më herët Ministri i jashtëm i Iranit kishte thënë se do t'i ndalte sulmet vetëm nëse Izraeli bënte të njëjtën gjë.
Sakaq, IDF është udhëzuar që të kryejë sulme intensive në Teheran pas pretendimit të Tel Avivit se është shkelur armëpushimi.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit thotë se ka udhëzuar ushtrinë që të "përgjigjet me forcë ndaj shkeljes së armëpushimit nga Irani me sulme intensive kundër objektivave të regjimit në zemër të Teheranit".
Komentet e Israel Katz duket se kanë ardhur përpara se ushtria të zbulonte raketa iraniane në Izraelin verior. Në këtë fazë është e paqartë se për cilat sulme iraniane po flet, megjithëse mjekët thonë se pesë persona u vranë në Beer Sheba gjatë natës pas raketave të qëlluara nga Teherani.
Menjëherë pasi Izraeli tha se kishte zbuluar lëshime raketash nga Irani, ministri i financave Bezalel Smotrich që përfaqëson ekstremin e djathtë të vendit postoi një deklaratë të shkurtër në mediat sociale.
"Teherani do të dridhet", shkruan Smotrich, një aleat kyç i kryeministrit Benjamin Netanyahu, në platfomrën ‘X’. (A2 Televizion)