Përmbytjet katastrofike, dorëhiqet kreu rajonal i Valencias: Gabova dhe do të jetoj me këtë

Nga Rosalba Bejdo
3 Nëntor 2025, 15:03 | Bota

1 vit pas përmbytjeve katastrofike në rajonin lindor të Valencias në Spanjë, kreu rajonal i është dorëzuar kritikave dhe presionit për mënyrën se si menaxhoi situatën, duke dhënë dorëheqjen.

Carlos Mazon është përballur me thirrje për t’u dorëhequr, që kur përmbytjet e 29 tetorit të vitit 2024 shkaktuan 229 viktima dhe miliarda euro dëme, kryesisht në periferinë e qytetit të tretë më të madh në Spanjë, shkruan A2. 

“Realiteti është se sot jam në fokus të kritikave, zhurmës, urrejtjes dhe tensioneve. Nuk mund të vazhdoj më. E di që kam bërë gabime, duhet ta pranoj dhe e di që duhet të jetoj me to për gjithë pjesë e mbetur të jetës time”, tha Mazon. 

Në një fjalim të mëhershëm ai e vuri theksin tek mbështetja e pamjaftueshme nga qeveria e kryeministrit socialist Pedro Sanchez, ndërsa fajësoi gjithashtu edhe agjencinë meteorologjike kombëtare dhe organizmin rregullator të rrjetit hidrologjik rajonal, që, siç tha, dështuan të jepnin paralajmërimet e duhura për parandalimin e katastrofës.  

Rosa Alvarez, e cila drejton shoqatën kryesore të viktimave të përmbytjeve, e cilësoi fjalimin e Mazon si të dhimbshëm dhe të pavlerë. Banorët e zonave të prekura akuzojnë qeverinë lokale se lëshoi shumë vonë paralajmërimin, pasi godinat ishin zhytur në ujë dhe shumë njerëz ishin mbytur në përmbytjet më të rënda në Europë që prej 1967-s.

Ekspertët thonë se dështimet e njëpasnjëshme në kryerjen e punimeve për zbutjen e përmbytjeve në lumenj, për të mbrojtur më mirë shtëpitë, për të edukuar njerëzit dhe për të paralajmëruar shpejt banorët, shtuan numrin e viktimave.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos