
Kriza në Ngushtica e Hormuzit po thellohet, duke rritur tensionet globale dhe duke detyruar vendet perëndimore dhe aleatët të kërkojnë urgjentisht një zgjidhje për rifillimin e lundrimit në një nga rrugët më të rëndësishme të energjisë në botë.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, ngushtica përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës globale, është bllokuar nga Irani pas përshkallëzimit të konfliktit me SHBA dhe Izraelin. Si pasojë, trafiku detar ka rënë ndjeshëm, ndërsa shumë anije kanë mbetur të bllokuara ose kanë shmangur zonën për shkak të rrezikut të sulmeve.
Situata ka shkaktuar pasoja të menjëhershme në ekonominë globale, me rritje të fortë të çmimeve të naftës dhe frikë për mungesa energjie. Ekspertët e konsiderojnë këtë si një nga ndërprerjet më të mëdha të furnizimit që nga kriza e viteve ’70.
Ndërkohë, vendet perëndimore po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të rihapur këtë korridor jetik. Një samit ndërkombëtar me dhjetëra shtete është thirrur për të diskutuar mënyrat e garantimit të lundrimit dhe stabilitetit ekonomik global.
Nga ana tjetër, deklaratat e Donald Trump kanë shtuar tensionet, pasi ai ka paralajmëruar veprime të forta nëse Irani nuk lejon rifillimin e kalimit të anijeve. Por liderë evropianë kanë kritikuar idenë e përdorimit të forcës, duke e cilësuar si jorealiste dhe të rrezikshme për përshkallëzim të mëtejshëm.
Ngushtica e Hormuzit mbetet pika më e ndjeshme e krizës aktuale, pasi çdo bllokim i saj prek drejtpërdrejt tregjet globale, çmimet e karburanteve dhe stabilitetin ekonomik në shumë vende të botës. (A2 Televizion)