
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se një version i planit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “në parim mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare paqeje”. Komentet u bënë publike nga Kremlini pas një bisede telefonike mes Putinit dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Sipas njoftimit zyrtar, të dy liderët diskutuan propozimin amerikan, me Putinin që nënvizoi se drafti i shqyrtuar nga Moska është “në përputhje me diskutimet e zhvilluara gjatë samitit ruso-amerikan në Alaska” më herët këtë vit, shkruan A2 CNN. Kremlini theksoi gjithashtu se Moska “mbetet e interesuar për një zgjidhje politike dhe diplomatike të krizës ukrainase”.
Ndërkohë, zëdhënësit e Kremlinit thanë se nuk kanë parë ende asnjë informacion zyrtar mbi rezultatet e takimeve të mbajtura një ditë më parë në Gjenevë mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.
Plani amerikan që i referohet Moska besohet të jetë drafti fillestar me 28 pika, i cili përfshin disa kërkesa që Kievi i ka konsideruar si të papranueshme. Mes tyre janë dorëzimi i një pjese të territorit, kufizimi i madhësisë së ushtrisë ukrainase dhe garancia që Ukraina nuk do t’i bashkohet NATO-s, në këmbim të një marrëveshjeje që do të sillte fundin e konfliktit.
Nga ana tjetër, Presidenca e Turqisë njoftoi se Erdogan i ka shprehur Putinit gatishmërinë e Ankarasë për të kontribuar në çdo iniciativë diplomatike që do të mundësonte kontakte të drejtpërdrejta mes palëve dhe do t’i hapte rrugë paqes së qëndrueshme në rajon.
Turqia ka qenë më herët një nga vendet pritëse të bisedimeve direkte mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës, veçanërisht në Stamboll gjatë vitit 2022, megjithatë raundet e mëparshme të negociatave nuk prodhuan rezultate konkrete për përfundimin e luftës. (A2 Televizion)
