Planet e Trump për Ukrainën: Për 20 vite nuk ka anëtarësim në NATO

Nga Erjon Dervishi
7 Nëntor 2024, 15:23 | Bota

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk ka miratuar një plan specifik paqeje për Ukrainën, shkruan A2 NN. Këtë fakt e kanë bërë të ditur këshilltarët më të afërt të Donald Trump, citon media amerikane Wall Street Journal. Dilema më e madhe është fakti se si Trump do të mund të bindë Putin të ulet në tryezën e bisedimeve me Volodymyr Zelenskyy.

“Kushdo, pavarësisht se sa i vjetër ka qenë në rrethin e Trump-it, që pretendon se ka një pamje të ndryshme më të detajuar në planet e tij për Ukrainën, thjesht nuk e di se për çfarë po flet", tha një ish ndihmës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trump, citon Wall Street Journal.

Këshilltarët e Donald Trump rekomandojnë që ai të ngrijë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, duke lejuar pushtimin rus të rreth 20% të Ukrainës dhe duke e detyruar Ukrainën të pezullojë përkohësisht aplikimin e saj për anëtarësim në NATO.  Një ide e propozuar brenda zyrës së Trump, sipas tre personave të afërt me presidentin e zgjedhur përfshin premtimin e Kievit për të mos u anëtarësuar në NATO për të paktën 20 vjet.

Në këmbim, SHBA do të vazhdonte të furnizonte Ukrainën plot me armë për të penguar një sulm të ardhshëm rus. Sipas këtij plani, vija e përparme do të mbyllej dhe të dyja palët do të pajtoheshin për një zonë të çmilitarizuar prej 800 miljesh. Kush do ta kontrollonte atë territor mbetet e paqartë, por një këshilltar i Trump, tha se forcat paqeruajtëse nuk do të përfshijnë trupa amerikane dhe as nuk do të vijnë nga një organ ndërkombëtar i financuar nga SHBA, si Kombet e Bashkuara, thekson Wall Street Journal.

“Ne mund të bëjmë stërvitje dhe mbështetje të tjera, por tyta e armës do të jetë evropiane. Ne nuk po dërgojmë burra dhe gra amerikane për të ruajtur paqen në Ukrainë. Ne nuk do të paguajmë për të. Lërini polakët, gjermanët, britanikët dhe francezët ta bëjnë këtë”, tha ai.

Cila nga këto strategji do të ndjekë Trump – tërësisht, pjesërisht ose fare – është e paqartë. Por çdo hap për të nisur bisedimet e paqes Ukrainë-Rusi, e lëre më për të përfunduar një marrëveshje, përballet me shumë gracka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos