Afro 10 viktima janë shkaktuar në Kiev si pasojë e sulmeve ruse. Mes viktimave janë edhe fëmijë. Dronet rus goditën zona të banuara dhe dëmtuan hyrjen e një strehimoreje në stacionin e metrosë, bënë me dije zyrtarët ukrainas.
Autoritetet ukrainase nxorën trupa nga rrënojat e një blloku apartamentesh në rrethinat e Kievit, më pak se një kilometër nga ambasada amerikane, shkruan A2.
Valeriy Mankuta, 33 vjeç, bëri me dije se si u ngjit nga dritarja e tij në katin e tretë për të shpëtuar, pasi ndërtesa e tij u godit nga ajo që autoritetet e quajtën një raketë.
"Kishte tulla mbi mua. Ishte ferr i plotë. U zgjova në rrënoja. Po mendoja vetëm për një gjë, isha gjallë apo vdekur. Kur pashë se isha gjallë, nuk e kuptova se ku isha dhe si isha. Dhe më pas konkludova se ky ishte një sulm ajror, dhe në këtë mënyrë duhej patjetër të ikja diku”, deklaroi Mankuta.
Forcat ajrore të Ukrainës bënë me dije se kishin rrëzuar 339 nga 352 dronë dhe 15 nga 16 raketa të lëshuara nga Rusia në sulmin ndaj katër rajoneve të Ukrainës. Në një sulm me raketa në rajonin ukrainas të Odesës në Detin e Zi të paktën dy persona u vranë dhe 12 u plagosën, tha guvernatori lokal Oleh Kiper.
Sulmet e së hënës vijnë një ditë para se të mbahet samiti vjetor i NATO-s në Hagë, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelenskiy vizitoi Britaninë për të diskutuar mbrojtjen.
Mijëra civilë janë vrarë në konflikt, shumica dërrmuese e tyre ukrainas, megjithëse të dyja palët mohojnë se i kanë synuar ata. Rusia nuk ka komentuar për sulmet e fundit. (A2 Televizion)