Atentati ndaj Trump, Shala: Gabime të pafalshme nga sistemi i sigurisë

Nga A2 CNN
27 Prill 2026, 22:16 | Bota

Eksperti i sigurisë Xhavit Shala, komentoi të shtënat me armë zjarri në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

I ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Shala deklaroi se agresori “ishte një person i formuar, ishte arsimtar, lektor, me master, një person që kishte reputacion të mirë në komunitet”.

“Fakti që ka udhëtuar tre ditë me tren për të shmangur rrugët e tjera me makinë, për të arritur tek vendi i aktivitetit, fakti që e ka ditur për aktivitetin që do zhvillohet, do të thotë që ai ka bërë përgatitje serioze, pavarësisht nivelit të ulët profesional për t'u marrë me këto punë”, theksoi eksperti i sigurisë.

Xhavit Shala shtoi: “Ky ka qenë një nga ata që njihen si “ujqër të vetmuar”, një nga këta që vetëradikalizohen. Pozicioni i tij është pozicion politik në fakt, nga dokumentet që i janë gjetur në shtëpi, por edhe ka zhvilluar një propagandë kundër Trumpit dhe administratës Trump. Ky është një person që vuri në provë sistemin e sigurisë të Presidentit, kur dihej që Presidenti ka qenë vazhdimisht i kërcënuar. Pas fillimit të luftës me Iranin ka kërcënime të hapura nga lidershipi iranian dhe ai arriti që të zejë vend në atë hotel me armë”.

Sipas ekspertit të sigurisë, sistemi i sigurisë rreth Donald Trump bëri gabime të pafalshme.

“Trumpi e lavdëroi sistemin e sigurisë, por gabime të tilla janë gabime të pafalshme, sepse këto gjëra një herë mund të ndodhin. Fati qëlloi që ai u kap para se të vepronte. Dhe u zhvillua aktiviteti në një objekt ku nuk janë verifikuar personat bujtës. Ai nuk do të arrinte te Presidenti, kjo as nuk diskutohet. Ishin 3 postoblloqe para se të arrinte aty, por që synimi i atij nuk ishte mbase për të arritur aty. Një mënyrë operimi si e tij, çonte se s'bën që do vritej nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe unë them që është e çuditshme si nuk e vranë. Unë mendoj që mund të jetë edhe pjesë e një lufte hibride e dezinformimit që bëjnë edhe aktorë të tjerë shtetërorë dhe joshtetërorë jashtë Amerikës. Synimi është për ta dobësuar sa më shumë lidershipin e Trumpit, për ta bërë sa më të dobët në kuadrin e këtyre përplasjeve ndërkombëtare që janë aktualisht”, shpjegoi Xhavit Shala. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos