Shtëpia e Bardhë paralajmëron Iranin të tregohet i zgjuar dhe të pranojë një ujdi me SHBA, mes raportimeve se presidenti amerikan po shqyrton një ndërhyrje të re ushtarake kundër Republikës Islamike. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha në një konferencë për shtyp se Trump ende po shpresonte për një zgjidhje diplomatike për programin bërthamor të Teheranit por se ka shumë arsye dhe argumente, që dikush mund të paraqesë për të sulmuar Iranin.
“Presidenti ka qenë gjithmonë shumë i qartë, në lidhje me Iranin ose çdo vend në botë, diplomacia është gjithmonë opsioni i tij i parë. Dhe Irani do të ishte shumë i mençur të bënte një marrëveshje me Presidentin Trump dhe me këtë administratë”, tha ajo.
Komentet e saj vijnë teksa SHBA po dërgon në rajon një luftanije të dytë, një ditë pasi u raportuar përparim në bisedimet mes dy palëve në Gjenevë. Media amerikane raportoi të mërkurën se Trump ka diskutuar opsionet ushtarake me këshilltarët e tij dhe se një sulm ndaj Iranit mund të ndodhë të shtunën.
Në qershor ushtria amerikane shënjestroi 3 site bërthamore të Iranit. Imazhe të reja satelitore sugjerojnë se Republika Islamike ka ndërtuar rishtazi një mburoje te betontë mbi një strukturë të re në një zonë sensitive ushtarake dhe e ka mbuluar me dhe, sipas ekspertëve.
Imazhet tregojnë po ashtu se Irani ka mbuluar me dhe edhe hyrjet e tuneleve në një zonë bërthamore të bombarduar nga SHBA gjatë luftës 12 ditore të izraelit vitin e kaluar, ka fortifikuar hyrjet te një tunel tjetër dhe ka riparuar bazat raketore të shënjestruara në konflikt. Sipas burimeve që citojnë mediat amerikane Trump nuk ka marrë ende një vendim për të sulmuar dhe se bisedimet janë përshkruar si dinamike. (A2 Televizion)