
Parlamenti i Gjermanisë ka miratuar një projektligj që do të lejojë gjuetinë e ujqërve, si përgjigje ndaj rritjes së shpejtë të popullsisë së tyre dhe shtimit të sulmeve ndaj bagëtive, shkruan A2 CNN. Ligji u votua në dhomën e ulët të parlamentit dhe synon të krijojë një ekuilibër të ri mes mbrojtjes së natyrës dhe interesave të fermerëve.
Në tre dekadat e fundit, ujqërit janë rikthyer dhe janë shtuar ndjeshëm në Gjermani, duke shkaktuar debate të forta politike dhe shoqërore. Çështja shpesh përball përfaqësues të së majtës me ata të së djathtës, si dhe zonat urbane të perëndimit me rajonet më rurale të lindjes së vendit, ku ujqërit janë më të përqendruar.
Projektligji u mbështet nga koalicioni qeverisës i qendrës së djathtë dhe nga partia e ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland. Sipas deputetit Hermann Färber nga CDU, vuajtjet e kafshëve të fermave të vrara nga ujqërit nuk mund të injorohen më.
Ligji parashikon që 16 landet gjermane të mund të lejojnë gjuetinë e ujqërve nga korriku deri në tetor në zonat ku numri i tyre është i lartë. Sipas statistikave zyrtare, rreth 4300 kafshë ferme u vranë ose u plagosën nga ujqërit në vitin 2024. Organizatat mjedisore kundërshtojnë ligjin dhe kërkojnë masa më të forta mbrojtjeje për tufat, si gardhe dhe qen roje. Ligji duhet të miratohet edhe nga dhoma e lartë e parlamentit. (A2 Televizion)