
Gjykata Europiane e Drejtësisë ka gjobitur Portugalinë me 10 milionë euro për moszbatimin e ligjeve mjedisore të Bashkimit Europian që kërkojnë mbrojtjen e biodiversitetit. Përveç kësaj gjobe, vendi do të duhet të paguajë edhe 41 250 euro në ditë derisa të zbatojë një vendim të mëparshëm të gjykatës të marrë në vitin 2019, shkruan A2 CNN.
Sipas gjykatës, gjoba ditore është vendosur për shkak se 55 zona natyrore ende nuk janë mbrojtur siç kërkohet nga legjislacioni europian. Çdo zonë që vendoset në përputhje me rregullat do të ulë gjobën ditore me 750 euro.
Gjykata theksoi se bëhet fjalë për shkelje serioze të ligjit mjedisor të BE-së. Portugalia ka një biodiversitet të pasur, me 99 tipe habitatesh dhe 335 specie të mbrojtura nga direktiva europiane për habitatet, çka e bën mbrojtjen e tyre veçanërisht të rëndësishme për trashëgiminë natyrore të Bashkimit Europian.
Prej vitesh, Komisioni Europian ka kërkuar që Portugalia të përcaktojë dhe të mbrojë zonat me rëndësi për komunitetin, siç janë Peneda-Gerês National Park, parku i vetëm kombëtar i vendit, si dhe parket natyrore dhe zona të tjera me biodiversitet të rrallë.
Autoritetet portugeze kanë deklaruar se çështja lidhet me procese që zgjasin prej tre dekadash dhe që kanë kaluar nëpër disa qeveri. Megjithatë, qeveria ka nisur një proces të përshpejtuar ligjor për të përfunduar përcaktimin e zonave të mbrojtura dhe për të përmbushur detyrimet ndaj Bashkimit Europian. (A2 Televizion)