"Po vritemi çdo ditë", vijon masakra në Gaza, dhjetëra viktima nën rrënoja

Nga A2 CNN
10 Prill 2025, 19:42 | Bota

Qindra palestinezë raportohen të jenë vrarë nga ushtria izraelite në 24 orët e fundit. Sulmet kanë vijuar pas tragjedisë së ndodhur disa ditë më parë në qytetin Shejaha në Gazën qendrore. Të tjera viktima janë zbuluar nën rrënojat e ndërtesave të larta. 

Banorët e zonës dhe mbrojtja civile tentuan të largojnë të plagosurit dhe u përpoqën të pastronin mbetjet. Nga ana e tij, Izraeli i ka justifikuar sulmet me pretekstin se në ato zona strehohen militantë të Hamasit. 

“Njerëzit po rrinin të qetë në shtëpitë e tyre, por papritur një raketë nga F16 i goditi ata. Nuk e kuptoj se çfarë kërkon të arrijë më këto sulme Benjamin Netanyahu? A janë këta fëmijë synimi? Ata janë civilë të cilët nuk kanë të bëjnë më asnjë por ata po bombardohen me F16. Pse? Ku është ndjenja njerëzore. Ku është ndërgjegjja e botës? Ne po vritemi për ditë”

Ndërkohë tanket dhe ekskavatorët e Izraelit po veprojnë në rrugët pranë ndërtesave të shkatërruara të Gazës veriore, në mes të fushatës së vazhdueshme për të zgjeruar territoret e saj. 

Izraeli rifilloi bombardimin e Gazës më 18 mars pas një armëpushimi dy mujor dhe dërgoi trupa përsëri në enklavë. Në tre javë që nga ajo kohë, ministria e shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi thotë se sulmet ushtarake të Izraelit kanë vrarë afro 1500 palestinezë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos