Grabitësit vrasin me armë një karabinier në Itali, ishte dita e fundit e punës për të

Nga A2 CNN
12 Qershor 2025, 11:55 | Bota

Grabitësit vrasin me armë një karabinier në Itali, ishte

Një ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e sotëm Italinë, ku një karabinier është vrarë me armë zjarri gjatë një operacioni pas një grabitjeje në Francavilla Fontana, provinca e Brindisit.

Viktima është Carlo Legrottaglie, 59 vjeç, me origjinë nga Ostuni, i cili ishte në ditën e tij të fundit të punës aktive. Ai pritej të merrte lejen më 13 qershor dhe të dilte në pension muajin e ardhshëm. Legrottaglie ndërroi jetë pasi u qëllua nga një prej autorëve të grabitjes që po ndiqte në këmbë, pas një ndjekjeje me makinë.

Karabinieri ndërhyri bashkë me kolegun e tij pas sinjalizimit për një grabitje në një pikë karburanti në periferi të qytetit. Ata lokalizuan një Lancia Y me ngjyrë të errët, me të cilën po lëviznin grabitësit, të cilët u përpoqën të largoheshin. Pas disa përplasjesh me makinat, grabitësit braktisën automjetin dhe u shpërndanë në këmbë, shkruan A2 CNN.

Gjatë ndjekjes, Legrottaglie u përball me një nga grabitësit, i cili e qëlloi për vdekje. Dyshohet se një nga autorët është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Kolegu i Legrottaglie ndodhet në gjendje shoku. Në vendngjarje mbërritën forcat e shumta të policisë, ndërsa zona u mbikëqyr nga ajri me helikopter. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos