Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka bërë me dije se ushtria amerikane do të jetë e përgatitur të zbatojë çfarëdo urdhri që Presidenti Donald Trump vendos për Iranin.
Hegseth u pyet nga Trump në një mbledhje të kabinetit për të komentuar mbi situatën, ndërsa ky i fundit ka dërguar armatën detare pranë Iranit, shkruan A2.
“Z.President, ju duhej, siç e kanë përmendur shumë anëtarë të tjerë të Kabinetit, të rindërtonit perceptimin e Amerikës. Dhe në Departamentin e Luftës, kjo do të thoshte rivendosja e parandalimit. Ajo që ndodhi në Afganistan, ajo që ndodhi në Ukrainë, një luftë që nuk do të kishte ndodhur kurrë, ajo që ndodhi më 7 tetor në Izrael, nuk do të kishte ndodhur kurrë nën Presidentin Trump. Pra, si rezultat, ne duhet të rindërtojmë mënyrën se si armiqtë tanë na perceptojnë. Dhe kur Presidenti Trump tha 'Iran, nuk do të kesh një bombë bërthamore', ai e kishte me gjithë mend. Dhe ne i dërguam ato B-2 në gjysmën e botës dhe ata nuk e vunë re kurrë. Kur ai tha, 'nuk do të tolerojmë më trafikimin e drogës në hemisferën tonë, ne i trajtojmë ata si Al-Kaedën e Hemisferës Perëndimore', ai e kishte me gjithë mend dhe ne po e zbatojmë atë. Kur thatë, Z. President, ne po sigurojmë kufirin, ushtria ishte krenare që bëri pjesën e saj së bashku me sigurinë e atdheut, për ta bërë këtë. E njëjta gjë me Iranin tani, duke u siguruar që ata kanë të gjitha mundësitë për të bërë një marrëveshje. Ata nuk duhet të ndjekin aftësi bërthamore. Ne do të jemi të përgatitur të ofrojmë çfarëdo që ky president pret nga Departamenti i Luftës”, tha Hegseth. (A2 Televizion)