Shpërthen Lavrov: Kosovën e njohët pa referendum, pse për Krimenë e Donbasin nuk vlen?

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 23:13 | Bota

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përmend sërish Kosovën për të legjitimuar veprimet në Ukrainë, e po ashtu qëndrimin kundër Perëndimit që, sipas Moskës, përdor standarde të dyfishta.  

Në një prononcim për mediat turke këtë të enjte, shefi i diplomacisë ruse tha se Perëndimi shpalli pavarësinë e Kosovës, duke u bazuar vetëm tek parimi i vetëvendosjes, duke fyer kësisoj popullin serb dhe historinë e tij. Ndërkohë, sipas tij, kjo e drejtë nuk ishte më e zbatueshme në Krime, gadishull të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014 nga Ukraina. 

“Nuk pati referendum në të ashtuquajturën Kosovë: ata thjesht e shpallën të pavarur, duke fyer kështu popullin serb dhe historinë e tyre. Dhe kur një referendum u mbajt në Krime sipas të gjitha rregullave, Perëndimi deklaroi se e drejta për vetëvendosje nuk është e zbatueshme atje, sepse integriteti territorial është i zbatueshëm”, tha Lavrov.

Lavrov i referohet gjithashtu rastit të Groenlandës për të mbështetur qëndrimin e tij se Perëndimi përdor standarde të dyfishta: “Tani ia kemi bërë përsëri pyetjen Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe ekipit të tij: nëse është deklaruar publikisht se ai dhe udhëheqja e tij kolektive në OKB njohin të drejtën e popullit të Groenlandës për vetëvendosje, se është populli i Groenlandës ai që vendos për fatin e tij dhe jo dikush tjetër, atëherë a e njeh OKB-ja të njëjtën të drejtë për njerëzit e Donbasit, Novorossisë dhe, natyrisht, Krimesë?”. 

Lavrov shkon më tej duke pretenduar se Beogradi garantonte të gjithë të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, ndërsa në Krime e Donbas, sipas tij, ukrainasit ndaluan gjithçka me ligj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos