Gjykatësi në Minesota: ICE ka shkelur afro 100 urdhra gjyqësorë

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 19:01 | Bota

Gjykatësi në Minesota: ICE ka shkelur afro 100 urdhra

Një gjykatës federal në Minesota ka bërë kritika të ashpra ndaj Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE), duke deklaruar se kjo agjenci ka shkelur pothuajse 100 urdhra gjyqësorë vetëm gjatë këtij muaji.

Kryegjykatësi federal i Minesotës, Patrick J. Schiltz, theksoi se ICE ka injoruar më shumë urdhra gjykate në janar sesa “disa agjenci federale gjatë gjithë ekzistencës së tyre”.

Deklarata e fortë u bë në një vendim ku gjykatësi Schiltz tërhoqi përkohësisht një urdhër të mëparshëm, me të cilin kishte thirrur drejtorin në detyrë të ICE, Todd Lyons, që të paraqitej para gjykatës për të shpjeguar pse nuk duhej të mbahej përgjegjës për shpërfillje të gjykatës. Edhe pse Lyons u “shpëtoi” për momentin pasojave, gjykatësi paralajmëroi se mund ta rithërrasë atë nëse shkeljet vazhdojnë.

“ICE nuk është mbi ligjin,” shkroi gjykatësi, duke theksuar se agjencia ka të drejtë të kundërshtojë vendimet gjyqësore, por është e detyruar t’i zbatojë ato derisa të rrëzohen ose anulohen ligjërisht, shkruan A2.

Në vendimin e tij, gjykatësi Schiltz përfshiu një listë me 96 urdhra gjykate nga 74 çështje të ndryshme emigracioni, të cilat ICE dyshohet se nuk i ka zbatuar që nga 1 janari. Ai shtoi se ky numër ka shumë gjasa të jetë edhe më i lartë, pasi është përpiluar me shpejtësi nga gjyqtarë të mbingarkuar.

Çështja konkrete lidhej me Juan Hugo Tobay Robles, një shtetas ekuadorian i ndaluar nga ICE, ndonëse gjykata kishte urdhëruar lirimin ose të drejtën për të sfiduar ndalimin. Robles u lirua më vonë, por avokati i tij kërkoi që procedurat ndaj drejtuesve të ICE të vazhdojnë, duke theksuar pasojat serioze për emigrantët e prekur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos