Pretendimi për Falklandet: A mund t’i përdorë Milei lidhjet me Trump për të sfiduar Mbretërinë e Bashkuar?

Nga A2 CNN
1 Maj 2026, 14:57 | Bota

Pretendimi për Falklandet: A mund t’i përdorë Milei lidhjet

Presidenti Javier Milei së fundmi ka ashpërsuar retorikën e tij mbi pretendimin e Argjentinës për Ishujt Falkland, në një kohë kur marrëdhënia e tij e afërt me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe tensionet në rritje të këtij të fundit me Mbretërinë e Bashkuar kanë tërhequr vëmendje ndaj së ardhmes së territorit të diskutueshëm, përcjell A2CNN.

Trump dhe Milei janë takuar disa herë. Lideri argjentinas është një figurë e rregullt në tubimet politike konservatore pro-Trump në SHBA. Trump e ka quajtur më herët Milei-n, një lider populist i krahut të djathtë nga partia “La Libertad Avanza”, si “presidentin e tij të preferuar”.

Ishujt Falkland, të njohur në Argjentinë si Malvinas, prej kohësh kanë qenë burim tensioni mes Londrës dhe Buenos Airesit, edhe pse marrëdhëniet në vitet e fundit kanë qenë relativisht të qeta.

Megjithatë, sipas disa raporteve të fundit, Pentagoni ka propozuar një rishikim të neutralitetit historik të SHBA-së mbi mosmarrëveshjen për Falklandet, në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Londrës janë përkeqësuar për shkak të kritikave britanike ndaj luftës së Trump në Iran.

Çfarë është mosmarrëveshja për Ishujt Falkland?
Ishujt janë një territor britanik vetëqeverisës në Atlantikun jugperëndimor. Arkipelagu përbëhet nga dy ishuj kryesorë: East Falkland dhe West Falkland.

Ishujt ndodhen rreth 13,000 km larg Britanisë dhe kanë një popullsi prej rreth 3,200 banorësh.

Argjentina pretendon sovranitet mbi ishujt, duke argumentuar se i ka trashëguar nga kurora spanjolle në shekullin XIX. Megjithatë, në vitin 1690, anglezi John Strong zbarkoi në territor dhe e quajti atë sipas patronit të tij, Viscount Falkland.

Që atëherë, Mbretëria e Bashkuar, Argjentina, Franca dhe Spanja kanë vendosur herë pas here vendbanime në ishuj.

Britania i administron ishujt që nga viti 1833 dhe e mbështet pretendimin e saj në praninë e gjatë dhe në preferencën e qartë pro-britanike të banorëve. Në vitin 2013 u zhvillua një referendum, ku 1,513 nga 1,517 banorë votuan për të mbetur pjesë e Britanisë.

Megjithatë, argjentinasit e shohin praninë britanike si kolonializëm.

Në prill 1982, mosmarrëveshja u përshkallëzua në luftë. Argjentina pushtoi ishujt, por Britania dërgoi një forcë ushtarake për t’i rimarrë, duke çuar në 74 ditë luftime. Lufta përfundoi me fitoren britanike dhe vdekjen e 655 ushtarëve argjentinas dhe 255 britanikëve.

Çfarë ka thënë Milei së fundmi?
Ndërsa paraardhësit e tij zakonisht e theksonin fort pretendimin argjentinas, Milei fillimisht u kritikua se nuk ishte mjaftueshëm i ashpër për këtë çështje.

Në një intervistë për BBC në vitin 2024, ai kritikoi politikanët që “rrahin gjoksin” pa arritur rezultate.

Por në një intervistë të fundit, ai tha se Argjentina po “bën përparim si kurrë më parë” në çështjen e Falklandeve.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur popullariteti i tij brenda vendit ka rënë ndjeshëm, me rreth 61% të argjentinasve që nuk e mbështesin më.

Pse ka rëndësi kjo?
Deklaratat e Milei vijnë në sfondin e tensioneve të reja mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Trump ka kritikuar kryeministrin britanik Keir Starmer për qëndrimet e tij mbi luftën SHBA-Izrael kundër Iranit dhe për mosmbështetjen e Uashingtonit në çështje ushtarake dhe strategjike.

Pas fillimit të luftës, Trump madje e ka quajtur Starmer “jo Winston Churchill”.

Ndërkohë, SHBA tradicionalisht ka mbajtur neutralitet për çështjen e Falklandeve, por raportet sugjerojnë se kjo mund të rishikohet.

A mund ta përdorë Milei lidhjen me Trump?
Ekspertët thonë se, pavarësisht marrëdhënies së mirë mes Trump dhe Milei, çdo zgjidhje e çështjes së Falklandeve varet kryesisht nga negociatat me Britaninë.

Sipas analistëve, SHBA mund të luajë rol ndikues, por vendimi përfundimtar do të varet nga Londra dhe jo nga Uashingtoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos