Një person i armatosur doli me vrull nga hyrja e një hoteli dhe kaloi me shpejtësi përmes një pike kontrolli sigurie brenda vetëm katër sekondash, ndërsa Presidenti Donald Trump po merrte pjesë në darkën me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë, raporton A2CNN.
Janë pamjet e reja të publikuara nga prokurorët, të cilat tregojnë momentet dramatike të tentativës për vrasjen e zyrtarëve të administratës Trump të shtunën e kaluar.
Videoja e realizuar nga kamerat e sigurisë duket se tregon një agjent sigurie duke qëlluar në drejtim të agresorit, i cili mbante një armë me tytë të gjatë, megjithëse nuk është e qartë nëse ai vetë qëlloi. Mbi 10 agjentë të tjerë mobilizohen rreth pikës së kontrollit të sigurisë, pak sekonda më vonë.
Pamjet nuk tregojnë momentin kur hetuesit thonë se i dyshuari u rrëzua dhe u arrestua në hotelin Washington Hilton të shtunën. Sipas hetuesve agresori nuk u qëllua, por një agjent mbeti i plagosur.
Ekspertë balistike po shqyrtojnë nëse agjenti u godit nga një plumb i qëlluar nga i dyshuari, apo nga forcat e tjera të rendit në vendngjarje. Por megjithatë, paraprakisht u tha se nuk ka prova që të shtënat të ishin rezultat i zjarrit miqësor. Cole Tomas Allen, 31 vjeç, akuzohet për tentativë vrasje ndaj Presidentit Trump në galanë me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së thotë se videoja tregon gjithashtu Allen duke “vëzhguar zonën” në hotel një ditë para darkës, kur ai dyshohet se u regjistrua si i ftuar. Sipas prokurorëve, ai shihet duke ecur në një korridor të hotelit Washington Hilton në prag të galasë dhe duke hyrë edhe në palestrën e hotelit.
I pandehuri akuzohet se mbante me vete një pistoletë gjysmë-automatike, një pushkë dhe tre thika, ndërsa vraponte, një kat mbi sallën e nëndheshme të ballos ku po zhvillohej eventi i rëndësishëm. (A2 Televizion)