
Legjislacioni izraelit që synon vendosjen e dënimit me vdekje për palestinezët e dënuar për sulme vdekjeprurëse “përforcon diskriminimin racor ndaj palestinezëve dhe përbën një cenim të rëndë të të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor.
“Ligji i ri është një goditje e rëndë për të drejtat e njeriut, duke zhbërë moratoriumin faktik afatgjatë të Izraelit mbi ekzekutimet që nga viti 1962 dhe duke zgjeruar përdorimin e dënimit me vdekje në Izrael dhe në Territoret e Pushtuara Palestineze,” thuhet në deklaratën e komitetit.
“Ligji zbatohet vetëm për ata që dënohen për vrasje të qëllimshme me synimin për ‘të mohuar ekzistencën e Shtetit të Izraelit’, çka e bën atë në praktikë të zbatueshëm vetëm ndaj palestinezëve”.
Komiteti i bëri thirrje Izraelit që ta shfuqizojë këtë ligj dhe “t’i japë fund të gjitha politikave dhe praktikave që përbëjnë diskriminim racor dhe segregim ndaj palestinezëve”, përcjell A2CNN. (A2 Televizion)