Qeveria më jetëgjatë italiane, Meloni: Nuk mungoi asgjë gjatë këtyre viteve në detyrë

Nga Erjon Dervishi
5 Shtator 2026, 10:39 | Bota

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni festoi të premten faktin se qeveria e saj ka qenë më jetëgjata që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo arritje u festua me anë të një tubimi që ndezi entuziazmin e mbështetësve të mbledhur në qytetin jugor të Barit.

Me 1,413 ditë në detyrë, qeveria e saj theu rekordin e mëparshëm të vendosur nga administrata e dytë e Silvio Berlusconi në vitin 2005.

Në fjalimin e saj, Meloni theksoi arritjet e periudhës gati katërvjeçare në qeveri, ndërsa renditi vështirësitë që e kishin komplikuar zbatimin e programit të koalicionit të qendrës së djathtë.

"Rrëshqitja e dheut në Ischia, thatësira dhe më pas përmbytjet në Emilia-Romagna, si dhe në Toskanë, Piemont, e Lombardi; cikloni Harry; e më pas sulmet kibernetike, terrorizmi, bandat e të rinjve dhe trafikantët e qenieve njerëzore. Nuk mungoi asgjë gjatë këtyre viteve në detyrë", u shprehe kryeministrja italiane.

Ajo gjithashtu nënvizoi rolin që Italia ka marrë përsipër në Bashkimin Evropian, ndonëse shumë kryeqytete evropiane ishin skeptike ndaj saj kur ajo erdhi në pushtet në tetor të vitit 2022. Megjithatë, një pjesë e madhe e fjalimit të saj kritikoi partitë e opozitës, veçanërisht Partinë Demokratike të qendrës së majtë, e cila renditet e dyta në sondazhe pas partisë së saj, "Vëllezërit e Italisë" (Fratelli d'Italia).

"E kuptoj zhgënjimin e opozitës kur kuptoni se në Itali nuk ka pasur kurrë më parë kaq shumë gra të punësuara. Sa i përket sagës se 'Meloni dëshiron që gratë të qëndrojnë në plan të dytë ndaj burrave': shikoni vetë!" tha Meloni.

Analistët pajtohen gjerësisht se arritja më e madhe e Melonit ka qenë rikthimi i besimit te financat e Italisë, por kritikët thonë se është bërë pak për të reformuar rrënjësisht administratën publike, si dhe sistemet e shëndetësisë e të arsimit, që vuajnë nga mungesa e efikasitetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos