Princi saudit Al-Waleed bin Khalid bin Talal Al Saud, i njohur ndryshe si “Princi i Fjetur”, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare, pas gati dy dekadash në koma si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik në Londër në vitin 2005.
Princi, i cili ishte vetëm 15 vjeç kur pësoi aksidentin, vuajti dëmtime të rënda në tru dhe hemoragji të brendshme. Ai u mbajt në jetë përmes aparaturave mjekësore dhe ventilimit mekanik, por kurrë nuk rifitoi plotësisht vetëdijen.
Al-Waleed ishte djali i madh i Princit Khaled bin Talal Al Saud, i cili publikoi lajmin e ndarjes nga jeta të të birit në një postim prekës në rrjetin social X.
“O shpirt i qetësuar, kthehu te Zoti yt. Me zemra që besojnë në vullnetin e Allahut dhe me dhimbje të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të birit tonë të dashur, Princit Al-Waleed bin Khaled bin Talal bin Abdulaziz Al Saud. Allahu e mëshiroftë”, shkroi babai i tij.
Princi Al-Waleed po studionte në një kolegj ushtarak në Londër në kohën e aksidentit. Më pas u transferua për trajtim në Qytetin Mjekësor të Mbretit Abdulaziz në Rijad, ku qëndroi në koma për 20 vjet.
Babai i tij, një figurë e njohur dhe vëllai i miliarderit të njohur Al-Waleed bin Talal, nuk pranoi kurrë të heqë dorë nga shpresa se i biri do të shërohej. Ai kundërshtoi prerazi çdo sugjerim për të ndërprerë aparaturat që e mbanin gjallë dhe vazhdoi të kujdesej nga afër për të.
Në vitin 2020, disa video prekëse të shpërndara në rrjetet sociale treguan princin duke lëvizur gishtat dhe dorën në reagim ndaj një përshëndetjeje, duke dhënë shpresë se gjendja e tij po përmirësohej. Megjithatë, ai vazhdoi të qëndronte në gjendje kritike deri në momentin e vdekjes. (A2 Televizion)