Forcat e Ministrisë së Brendshme të Sirisë kanë nisur dislokimin në Suveida, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që synon të shmangë ndërhyrjen e mëtejme të ushtrisë izraelite në provincën e banuar me shumicë druze.
Izraeli ka bombarduar forcat e ministrisë siriane si në Suveida ashtu edhe në Damask më herët gjatë kësaj jave, me qëllim që të detyrojë forcat që të tërhiqen, pasi i ka akuzuar për ekzekutime dhe abuzime të tjera të civilëve druzë gjatë dislokimi të tyre në këtë provincë jugore.
Që nga java e kaluar, më shumë se 700 persona janë vrarë në Suveida në përplasjet sektare mes druzëve dhe beduinëve sunitë përfshinë edhe qeverinë islamiste në pushtet, Izraelin dhe fise të armatosura nga pjesë të tjera të Sirisë.
Zyra e presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, shpalli një “armëpushim të menjëhershëm” në Suveida, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve që ta respektojnë plotësisht”.
Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me seli në Britani, tha se vullnetarë të armatosur janë dislokuar në mbështetje nga qeveria islamiste.
Luftëtarët druzë thanë se vullnetarët janë kryesisht islamistë.
Marrëveshje mes qeverisë islamiste të Sirisë dhe Izraelit u bë publike nga Uashingtoni të shtunën. I dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, tha se presidenti i përkohshëm sirian al-Sharaa dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, “janë pajtuar për një armëpushim” të negociuar nga SHBA-ja.
Barrack, që është ambasador i SHBA-së në Ankara, tha se marrëveshja mbështetet nga Turqia – mbështetës i al-Sharaas – si dhe nga Jordania.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndalin luftimet dhe të punojnë drejt paqes.
Administrata amerikane, e cila ka mbajtur anën e Turqisë dhe Arabisë Saudite në krijimin e lidhjeve me presidentin islamist, pavarësisht lidhjeve të tij të mëhershme me Al-Kaidan, kritikoi sulmet ajrore të aleatit të saj izraelit ndaj Sirisë më herët gjatë kësaj jave.
Al-Sharaa, pas njoftimit amerikan, përmes një fjalimi televiziv u zotua se do të mbrojë pakicat etnike dhe fetare në Siri.
“Shteti sirian është i përkushtuar për të mbrojtur të gjitha pakicat dhe komunitetet në vend... Ne i dënojmë të gjitha krimet e kryera” në Suveida, tha ai.
Presidenti i përkohshëm sirian shprehu mirënjohje për “rolin e rëndësishëm të luajtur nga Shtetet e Bashkuara, të cilat edhe njëherë treguan mbështetjen e tyre për Sirinë në këto rrethana të vështira dhe shqetësimin e tyre për stabilitetin e vendit”.
Ai gjithashtu falënderoi Turqinë dhe vendet arabe për mbështetjen e tyre./REL (A2 Televizion)