Izraeli ka përbërë një kërcënim real për civilët ditën kur Hamasi ndërmori sulmin kundër izraelitëve në 7 tetor. Kështu theksojnë mediat izraelite në një investigim të tyren.
Besohet se Forcat e Armatosura izraelite përdorën të ashtuquajturin "Protokolli Hannibal", një direktivë që thekson përdorimin e forcës për të parandaluar rrëmbimin e ushtarëve, qoftë edhe me çmimin e jetës së tyre apo atë të pengjeve izraelitë. Sipas Haaretz, procedura operative është përdorur në tre objekte ushtarake të sulmuara nga Hamasi, duke rrezikuar potencialisht edhe civilët.
Gaza është kapluar nga frika dhe pasiguria pasi ushtria izraelite ka njoftuar mbylljen e spitalit Al Ahli në Gaza pasi "e ka shpallur zonë të kuqe". Kështu njofton Kisha Anglikane e Jerusalemit, e cila shpreh “zhgënjim” për vendimmarrjen e ushtrisë izraelite. Ofensiva e re izraelite vjen pasi Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara shtuan përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit. Por, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbënguli se marrëveshja nuk duhet ta pengojë Izraelin të rifillojë luftimet derisa të përmbushen objektivat e tij të luftës. Këto qëllime u përcaktuan në fillim të luftës si çmontimi i aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, si dhe kthimi i pengjeve izraelite.
Sakaq, lajme jo të mira vijnë nga Bregu Perëndimor, aty ku Izraeli po përgatitet të fillojë mësymjen ushtarake. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka bërë të ditur se ushtria do të vazhdojë të luftojë Hezbollahun në Liban edhe nëse arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës.
“Unë u kam dhënë urdhra të qarta forcave të jugut dhe të veriut, janë dy sektorë të veçantë. Edhe nëse arrijmë një marrëveshje për pengjet dhe sinqerisht shpresoj se do të mund ta bëjmë këtë në jug, nuk do të lidhet me atë që po ndodh këtu, përveç nëse Hezbollahu nuk arrin një marrëveshje me ne”, tha Gallant. (A2 Televizion)