Pse zgjedhjet në Irak janë test për Iranin?

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2025, 08:24 | Bota

Pse zgjedhjet në Irak janë test për Iranin?

Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Irak më 11 nëntor vijnë në një moment kur ndikimi rajonal i Teheranit po dobësohet dhe rezultati zgjedhor mund të përcaktojë nëse Irani do të ruajë spirancën jetike në sferën e tij të ndikimit, financimit dhe frenimit, apo do të rrëshqasë në një lojë më të kushtueshme dhe të fragmentuar në menaxhimin nga larg të bashkëpunëtorëve të tij.

Me ngecjet në Siri dhe me kufizimet në rritje ndaj Hezbollahut – të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – në Liban, Iraku është bërë një skenë e domosdoshme për të ruajtur qasjen ekonomike dhe frenimin në arkitekturën rajonale të Teheranit.

“Mendoj se zgjedhjet parlamentare mund të jenë me të vërtetë vendimtare për Iranin sepse nëse kandidatët e tij të preferuar performojnë dobët, kjo do të jetë edhe një ngjarje tjetër që shkon keq për Teheranin dhe mund të shkaktojë një efekt zinxhiror, ku fuqia iraniane shihet si e dobësuar dukshëm”, tha Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendrës Soufan, një institut me seli në Nju Jork, përcjell A2.

Nëse Irani dështon të arrijë rezultatin e dëshiruar, shtoi Clarke, kjo do të dëmtojë imazhin e Teheranit në gjithë rajonin, “duke bërë që udhëheqësit e tij të duken të dobët”.

Beteja e vështirë e Iranit

Për vite të tëra, Irani e ka ushtruar ndikimin në Irakun fqinj duke mbështetur një sërë partish dhe milicish shiite – disa prej të cilave janë themeluar nga Garda Revolucionare e Republikës Islamike.

Por, ndikimi i tij është dobësuar pasi më 2020, SHBA-ja vrau komandantin e Forcës Kuds, Qassem Soleimani. Autoriteti që Teherani kishte mbi këto grupe është zbehur që atëherë, duke lënë vend për përçarje dhe fragmentim.

Fraksionet shiite brenda Kornizës së Koordinimit – një aleancë politike që përfshin kryeministrin Mohammed Shia’ al-Sudani – tani janë të ndara sa i përket përpjekjeve të mbështetura nga SHBA-ja për shpërbërjen e Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një organizatë ombrellë e milicive të lidhura kryesisht me Iranin që është integruar në ushtrinë e Irakut më 2016.

Disa lista shiite, që dikur koordinoheshin nën patronazhin e Teheranit, tani garojnë kundër njëra-tjetrës, duke reflektuar jo vetëm zbehjen e kohezionit, por edhe një lëvizje drejt politikës transakionale, të bazuar në interes, në vend të listave të bashkuara pro Iranit.

Në një përpjekje për të frenuar këto rivalitete, Irani më herët gjatë tetorit dërgoi në Bagdad pasardhësin e Soleimanit, komandantin e Forcës Kuds, Esmail Qaani. Është e paqartë nëse misioni i tij ka pasur sukses.

“Irani nuk ka një moment të favorshëm dhe është dobësuar shumë”, tha Clarke. “Mënyra se si Izraeli ka shkelur Iranin dhe bashkëpunëtorët e tij ka krijuar me gjasë dyshime në mesin e mbështetësve dhe patronëve të tij se mund të varesh më pak tek udhëheqësit e tij sesa më parë”.

Parandalimi i përkeqësimit të situatës
Ky dobësim i ndikimit ka ardhur si pasojë e disfatave më të gjera rajonale. Gjatë dy vjetëve të fundit, Izraeli ka shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin dhe kapacitetet e Iranit – nga shkatërrimi i udhëheqjes ushtarake të grupit palestinez Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, dhe infrastruktura e tij në Gazë, e deri te dobësimi i ndjeshëm i Hezbollahut dhe goditja e aseteve të Gardës Revolucionare në Siri dhe brenda vetë Iranit. Konfrontimi kulmoi me një luftë të drejtpërdrejtë në qershor, duke vënë në pah dobësi të mëdha nga ana e Iranit.

Dobësimi i Hezbollahut dhe pozicionit të Gardës Revolucionare iraniane në Siri kontribuoi në rrëzimin nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad, një aleat kyç që i lejoi Iranit ta shndërronte Sirinë në një korridor tokësor që lidhte aleatët e tij në Irak dhe Liban.

Për Teheranin, Iraku tani përfaqëson spirancën më të afërt dhe të domosdoshme për frenimin rajonal dhe ndikimin politik, në një kohë kur alternativat në vende të tjera të Lindjes së Mesme gjithnjë e më shumë po ngushtohen.

Nëse rezultatet e zgjedhjeve e zhgënjejnë Teheranin, Clark pret këmbëngulje e jo tërheqje.

“Irani e ka një detyrë të vështirë përpara për të rindërtuar këto grupe të bashkëpunëtorëve dhe t’u kushtojë më shumë kohë, energji dhe burime – të gjitha këto tashmë i ka të kufizuara – për t’i mbajtur raportet e forta me ta”, tha ai.

Votimi në Irak nuk është thjesht një palë zgjedhje të tjera. Është një test për të parë nëse Irani ende mund të ndikojë në rezultatet në një rajon ku fuqia e tij po dobësohet gradualisht./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos