“Putin thotë fjalë të mira, e më pas bombardon gjithçka në mbrëmje. Por kjo është problem dhe mua nuk më pëlqen”. U desh pak kohë, por më në fund, presidenti amerikan Donald Trump duket se e ka kuptuar se të negociosh me Putinin për fundin e luftës, është mision i pamundur. Teksa bën një konstatim të tillë, ai njofton se do t’i dërgojë Ukrainës armatime shumë të sofistikuara, përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore Patriot, të cilat siç thotë janë të nevojshme për të mbrojtur vendin në vazhdën e bombardimeve ruse.
Trump nuk e përcaktoi numrin e sistemeve Patriot që planifikon të dërgojë në Ukrainë, por tha se Shtetet e Bashkuara do të rimbursoheshin 100% për koston e tyre nga BE. Presidenti amerikan, po shfaqet gjithmonë e më i zemëruar me Putinin, pasi lideri rus po i reziston përpjekjeve për të negociuar një armëpushim mes Moskës dhe Kievit.
"Do të takohem me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, por nenë thelb do t'u dërgojmë atyre pajisje të ndryshme ushtarake shumë të sofistikuara. Ata do të na paguajnë 100% për to. Nuk mendoj se Biden e ka kërkuar ndonjëherë këtë. Por ne duam tu kërkojmë 350 miliardë. Evropa është dakord për njëqind miliardë. Janë shumë para, 100 miliardë.. Pra, ndërsa ne dërgojmë pajisje, ata do të na rimbursojnë për ato pajisje. A nuk tingëllon mirë kjo? Kështu duhet të kishte qenë shumë kohë më parë", tha Trump.
Trump pritet të njoftojë sot një plan të ri për armatosjen e Ukrainës me armë sulmi, diçka që shënon një kthesë të fortë të qëndrimit të mëparshëm. Lajmin e bën të ditur Axios që citon dy burime familjare me çështjen. Presidenti ukrainas ka kërkuar më shumë armatime mbrojtëse për t’i bërë ballë breshërisë së raketave e dronëve që Rusia ka lëshuar drejt vendit fqinj gjatë javëve të fundit.
Ndërsa Trump takohet me Rutten, i dërguari i posaçëm i SHBA Keith Kellog, udhëtoi në Ukrainë, ku u shfaq teksa i jepte një përqafim të ngrohtë shefit të kabinetit të Zelenskit. Gjatë vizitës do të diskutohen siguria për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë. (A2 Televizion)