“Putini nuk është një burrë i keq”. Kështu u shpreh Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, duke folur në një intervistë me gazetarin, Tucker Carlson. Ai vazhdoi më lëvdatat teksa pohoi se i pëlqente presidenti rus pasi është shumë i zgjuar.
Witkoff, i cili u takua me Putinin 10 ditë më parë, tha se shefi i Kremlinit kishte qenë "i mëshirshëm" dhe "i drejtpërdrejtë" me të. Ai shtoi se Putini i tha, se ishte lutur për Trump pas një atentati kundër tij vitin e kaluar. Ai tha gjithashtu se Putini kishte porositur një portret të presidentit amerikan si dhuratë dhe Trump ishte “qartë i prekur nga ai”.
Gjatë intervistës, Witkoff përsëriti argumente të ndryshme ruse, duke përfshirë se Ukraina ishte "një vend i rremë" dhe pyeti se kur bota do ta njihte territorin e pushtuar ukrainas si rus. Emisari po udhëheq negociatat e armëpushimit të SHBA me Rusinë dhe Ukrainën, por ai nuk ishte në gjendje të emërtonte pesë rajonet e Ukrainës të aneksuara ose pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse. Ndërkohë, Witkoff hodhi poshtë planin e kryeministrit britanik, Sir Keir Starmer, për një forcë ndërkombëtare për të mbështetur një armëpushim të mundshëm në Ukrainë.
Ai tha se ideja bazohej në një nocion "të thjeshtuar" të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve të tjerë europianë që sipas tij mendonin "ne të gjithë duhet të jemi si Winston Churchill". (A2 Televizion)