“Putin po na vëzhgon”, Gjermania dërgon 8 mijë ushtarë në Detin Baltik

Nga Erjon Dervishi
1 Shtator 2025, 18:59 | Bota

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ka kritikuar ashpër deklaratat e Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në lidhje me garancitë e sigurisë ushtarake për Ukrainën.

Ai beson se është thelbësisht e gabuar të diskutohen çështje të tilla para se të ulen në tryezën e negociatave, tha politikani i SPD-së gjatë një vizite në një fabrikë armësh në Troisdorf të Gjermanisë, shkruan A2.

“Pra, përveç faktit që Bashkimi Evropian nuk ka asnjë autoritet apo kompetencë në lidhje me pozicionimin e trupave - pavarësisht se për kë ose për çfarë - unë do të përmbahesha nga konfirmimi ose komentimi i konsideratave të tilla në asnjë mënyrë”, Boris Pisotrius, Ministri Gjerman i Mbrojtjes.

Ka diskutime të vazhdueshme rreth asaj se "çfarë do të ishte e mundur dhe çfarë nuk do të ishte e mundur" dhe nën çfarë rezervash dhe kushtesh do të ishte diçka e imagjinueshme.

"Por unë mendoj se është krejtësisht e gabuar ta diskutojmë këtë publikisht në këtë pikë", tha ai. Pistorius po i përgjigjej raportimeve të medias se von der Leyen diskutoi një plan veprimi për vendosjen e një force shumëkombëshe në Ukrainë. Ajo i tha Financial Times se planet për këtë ishin tashmë "mjaft të sakta". Ukraina po kërkon garanci sigurie kundër sulmeve ruse si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme paqeje.

Sakaq, Gjermania ka rritur alarmin për prezencën e ushtrisë ruse në Europën Lindore. "Putini po na vëzhgon, planet e tij shtrihen përtej Ukrainës dhe ne, si forca të armatosura, duhet të përgatitemi". Këshu ka bërë të ditur Carsten Breuer, Inspektor i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, autoriteti më i lartë ushtarak i Gjermanisë, në një konferencë për shtyp.

Forcat e armatosura gjermane, së bashku me ato të trembëdhjetë vendeve të tjera, po praktikojnë mbrojtjen e rajonit të Detit Baltik në kohë krize dhe lufte. Janë të përfshirë afërsisht 8,000 ushtarë. Disa stërvitje filluan në mesin e gushtit, të tjerat do të vazhdojnë deri në mesin e shtatorit. Marina Gjermane po komandon stërvitjet. Breuer përsëriti faktin se stërvitja synon të demonstrojë aftësitë parandaluese të ushtrisë gjermane si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht, dhe se "në pak më pak se dy javë, stërvitja ruse në shkallë të gjerë SAPAD do të fillojë në Bjellorusi".

"Do të doja të theksoja edhe një herë se ne duam parandalim, ndërsa Moska po përdor SAPAD për të nxitur pasiguri dhe, natyrisht, për të folur për përshkallëzim", vuri në dukje Breuer, duke përsëritur gjithashtu se Moska ka përsëritur disa stërvitje vitet e fundit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos