Rebelët Shia Huthi në Jemen, u zotuan se do t'i përgjigjen ashpër sulmeve ajrore të mbrëmjes së djeshme nga SHBA dhe Britania e Madhe, të cilat u kanë marrë jetën 5 personave.
Duke thënë se po veprojnë "në solidaritet" me palestinezët në Rripin e Gazës, ata kanë shtuar sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, duke ndezur kështu një konflikt më të gjerë që detyroi SHBA të thërriste një koalicion ndërkombëtar për të mbajtur të sigurtë këtë rrugë tregtare.
Duke marrë parasysh faktin që ngushtica Bab al Mandab, midis Detit të Kuq dhe Oqeanit Indian, e pagëzuar si “Porta e Lotëve” pritet të kthehet në frontin e ri të luftës, kurioziteti është rritur për të mësuar më tepër mbi arsenalin ushtarak të Houthi-ve.
Fakt është që rebelët e mbështetur nga Irani kanë rritur aftësitë e tyre ushtarake që nga viti 2014, kur ata filluan të merrnin nën kontroll pjesë të mëdha të Jemenit dhe tani posedojnë raketa e drone që janë bërë pjesërisht nga materiale ose përbërës iranianë.
Raketat balistike
Arsenali i Houthi-ve përfshin raketat “Typhoon”, një version i modifikuar i raketave balistike “Qadr” të Iranit, me një rreze goditëse që varion nga 1,600 deri në 1,900 kilometra, shpjegon eksperti i armatimeve, Fabian Hinz.
“Nuk janë aspak të sakta, të paktën versionet që kanë paraqitur, por mund të godasin që nga Irani”, shton ai.
Në testet e kryera nga Irani në vitin 2016, këto raketa goditën objektivat në një distancë prej 1400 kilometrash.
Mohammed Albasa, një ekspert në Navanti Group me bazë pranë Uashingtonit, tha se rebelët prezantuan raketat “Typhonn” vetëm disa javë para sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Raketat e lundrimit
Rebelët në Jemen, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të veriut të vendit, kanë gjithashtu versione të modifikuara të raketave të lundrimit “Qods”, po ashtu prodhim i Iranit, sipas Hinz.
Këto raketa kanë një rreze goditëse që arrin deri në 1650 kilometra. Në vitin 2022, Houthi-t njoftuan se “Qods” i tyre kishte goditur objektet e naftës në Abu Dhabi , kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, 1,126 kilometra në veri të Jemenit. Këto raketa tashmë ishin përdorur nga Huthi-t në sulmet kundër objekteve në Arabinë Saudite.
Emiratet dhe Arabia Saudite kanë qenë anëtarë të koalicionit ushtarak që mbështet qeverinë e Jemenit kundër Houthi-ve që nga viti 2015.
Dronët
Arabia Saudite dhe SHBA-të akuzojnë rregullisht Iranin për ofrimin e pajisjeve ushtarake për Houthi-t, gjë që Teherani e mohon. Kryengritësit thonë se po ndërtojnë dronët e tyre, të cilët ekspertët thonë se përdorin komponentë iranianë të importuar ilegalisht.
Përveç kësaj, Houthi-t kanë drone sulmuese Shahid-136 me një rreze veprimi prej 2000 kilometrash, të cilët Rusia i përdor edhe në luftën e saj kundër Ukrainës.
Arsenali i tyre përfshin edhe dronët Samad-3, i cili mund të mbajë eksploziv me peshë 18 kilogramë dhe ka një rreze veprimi prej rreth 1600 kilometrash. Me këta dronë ata tashmë kanë shënjestruar Emiratet dhe Arabinë Saudite, sipas ekspertëve.
Këta drone, të cilët udhëhiqen nga GPS, "fluturojnë në mënyrë autonome duke ndjekur rrugën e caktuar për ta" drejt objektivit të tyre, raportoi Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në vitin 2020. (A2 Televizion)