
Milan po i afrohet fundit të sezonit në krizë të plotë.
Kuqezinjtë duhet t'i fitojnë të dyja ndeshjet e mbetura nëse duan të kualifikohen në Champions League, por edhe nëse ky objektiv arrihet, në verë do të ketë revolucion te klubi italian.
I sigurt për largimin është drejtori sportiv Igli Tare. Në vend të tij, RedBird që ka në pronësi Milanin do të zgjedhë një tjetër shqiptar. Bëhet fjalë për Viktor Bezhanin, shkruan A2.
Aktualisht në rolin e drejtorit sportiv te Toulouse, një tjetër klub nën pronësinë e “RedBird”, Bezhani ka rënë në sy falë punës së tij të shkëlqyer në zbulimin dhe rritjen e talenteve. Nën menaxhimin e tij, klubi francez është fokusuar te profilet e reja e premtuese, të cilat më pas janë shitur për shuma mjaft të larta, duke garantuar stabilitet financiar.
Për shembull, gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, Bezhani finalizoi me sukses transferimin e Jaydee Canvot te Crystal Palace për shifrën e 23 milionë eurove.
(A2 Televizion)