Rrëmbime, masakra dhe pasiguri, Nigeria në Kaos, mes banditëve dhe xhihadistëve

Nga Rosalba Bejdo
28 Janar 2026, 22:23 | Bota

Ushtria nigeriane njoftoi të martën se ka shpëtuar 11 persona të rrëmbyer gjatë një operacioni nate përgjatë autostradës Kaduna–Abuja, duke penguar përpjekjen e militantëve të armatosur për t’i zhvendosur pengjet përmes një zone pyjore nën mbulimin e errësirës. Pesë burra, tre gra dhe tre fëmijë ishin mbajtur peng për 92 ditë, pasi ishin rrëmbyer në tetor nga komuniteti Gada Mallam Maman në shtetin Kaduna.

Trupat nga baza operative e përparuar në Doka i zbuluan më 26 janar përmes pajisjeve të mbikëqyrjes me rreze të gjatë, tha ushtria në një deklaratë. Ushtarët ndërhynë pasi panë rrëmbyesit duke shoqëruar pengjet përgjatë një shtegu në shkurre.

Më herët gjatë kësaj jave, ushtria nigeriane kishte shpëtuar 62 pengje dhe kishte vrarë dy militantë në operacione të ndara në shtetet Kebbi dhe Zamfara, si pjesë e një ofensive të vazhdueshme kundër grupeve të armatosura në veriperëndim të vendit. Ky rajon është goditur nga një valë rrëmbimesh masive të kryera nga banda të armatosura, të cilat kanë sulmuar fshatra, shkolla dhe vende kulti, përfshirë rrëmbimin më 18 janar të mbi 160 besimtarëve nga dy kisha në Kaduna.

Zëdhënësi i ushtrisë, nënkolonel Olaniyi Osoba, tha se trupat bastisën një strehë të njohur banditësh në Zamfara pasi morën informacione se aty mbaheshin pengje. Ushtria bëri të ditur se të 62 pengjet u shpëtuan dhe ndodhen në siguri, ndërsa po bëhen përpjekje për t’i ribashkuar me familjet e tyre.

Në një operacion të veçantë, trupat ngritën pritë ndaj militantëve Lakurawa pranë kufirit mes distriktit Augie në Kebbi dhe shtetit fqinj Sokoto, pas informacioneve mbi lëvizjet e grupit, shtoi Osoba.

“Në fillim, duhet të kuptojmë motivet pas këtyre rrëmbimeve masive. Së pari, ato bëhen thjesht për para. Kjo është arsyeja pse, nëse shikojmë rrëmbimet masive të mëparshme, viktimat janë liruar gjithmonë, sepse janë paguar shpërblime. Dhe rrëmbimet masive zakonisht shpërblehen nga qeveria, jo nga familjarë ose të afërm individualë. Sa i përket marrëdhënieve mes grupeve, po, ka prova që ekstremistët e dhunshëm dhe grupet xhihadiste, ose banditët, ndonjëherë bashkëpunojnë ose bashkohen për të kryer sulme”, tha Malik Samuel.

Nigeria ka qenë nën vëmendje edhe të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e akuzoi vendin se nuk po i mbron të krishterët nga militantët islamistë që veprojnë në veriperëndim. Forcat amerikane ndërmorën sulme ndaj objektivave të Shtetit Islamik në veriperëndim të Nigerisë në ditën e Krishtlindjes.

Qeveria nigeriane mohon se ka persekutim sistematik të të krishterëve, duke thënë se po godet luftëtarë islamistë dhe grupe të tjera të armatosura që sulmojnë si civilë të krishterë ashtu edhe myslimanë. Ushtria shtoi se këto operacione janë pjesë e përpjekjeve më të gjera për të shpërbërë rrjetet e armatosura përgjegjëse për rrëmbimet e përhapura dhe pasigurinë në rajon.

“Nga deklarata e Trump-it e këtej, kemi parë gjithashtu atë që duket si shënjestrim i veçantë i besimtarëve të krishterë. E pamë këtë në shtetin Kwara. Pamë rrëmbimin e studentëve të krishterë nga një shkollë e krishterë në shtetin Niger. Tani kemi parë rrëmbimin e besimtarëve në dy kisha në shtetin Kaduna. Pra, kjo nuk është e dobishme. Ngushtimi që Trump i bën konflikteve komplekse në Nigeri, duke i reduktuar ato në një çështje fetare, nuk ndihmon dhe padyshim që aty ka një problem.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos