Vazhdon situata emergjente në Itali me qytetin që po bie në greminë. Presidenti i rajonit të Siçilisë thekson se “dëmi i raportuar nga autoritetet publike nga Cikloni Harry arrin në afërsisht dy miliardë euro”. Ai shtoi se “situata është e pashembullt dhe kjo nuk është koha për polemika”.
“Nishemi po përballet me një situatë të paprecedentë. Qyteti është në rrezik rënie në greminë. Duhet të përveshim mëngët dhe të zhvillojmë një plan urbanistik për rindërtimin e pjesshëm të asaj strukture, larg rrëshqitjes së dheut”, nënvizoi presidenti rajonal. Kryeministrja Giorgia Meloni kreu një fluturim me helikopter mbi zonat e prekura nga moti i keq në Siçili.
Sipas agjencisë së lajmeve, ANSA, kryeministrja shkoi në bashkinë e qytetit të shkatërruar nga rrëshqitja e dheut. Mbi 1 mijë persona janë evakuuar nga autoritetet. (A2 Televizion)