Trump në samitin e NATO-s: Perëndimi të rindërtojë industrinë e mbrojtjes, lufta në Ukrainë nuk do kishte nisur me mua president

Nga Armand Kullolli
25 Qershor 2025, 16:24 | Bota

Trump në samitin e NATO-s: Perëndimi të rindërtojë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një konference për shtyp nga samiti i NATO-s në Hagë, theksoi rëndësinë jetike të rindërtimit të industrisë mbrojtëse të vendeve perëndimore, duke e lidhur këtë nevojë drejtpërdrejt me përvojën e dhimbshme të luftës në Ukrainë.

Trump deklaroi se lufta në Ukrainë ka treguar më qartë se kurrë më parë se “nuk mund të mbështetemi më te armiqtë tanë për burime strategjike dhe për kapacitetet tona të mbrojtjes.” Ai theksoi se kriza e tejzgjatur në Ukrainë e ka ekspozuar Perëndimin ndaj mungesave të theksuara në kapacitetet industriale ushtarake, që sipas tij “duhet të mbushen me investime të menjëhershme dhe të qëndrueshme”. Ndërkohë, ai përsëriti edhe njëherë tjetër se lufta në Ukrainë, nuk do të kishte nisur nëse ai do të kishte qenë president.

“Ne nuk mund të përballojmë më të varemi nga kundërshtarët tanë për minerale kritike,” u shpreh Trump, duke shtuar se rimëkëmbja e zinxhirëve të furnizimit dhe zgjerimi i prodhimit ushtarak do të jenë kyçe për përballimin e kërcënimeve në rritje, shkruan A2 CNN.

Ai e përshëndeti marrëveshjen e re për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në nivelin 5% të PBB-së për secilin vend anëtar të NATO-s, që u pagëzua nga ai si “Angazhimi i Mbrojtjes i Hagës”. Sipas presidentit amerikan, ky angazhim pritet të sjellë më shumë se 1 trilion dollarë shtesë në vit për mbrojtjen e përbashkët të aleancës.

“Është një fitore e madhe për SHBA-në, për Evropën dhe për gjithë qytetërimin perëndimor,” u shpreh ai.

Në një koment për tensionet në Lindjen e Mesme, Trump tha gjithashtu se Irani kishte lajmëruar për një sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Katar, duke bërë të mundur evakuimin paraprak. Por ai theksoi se sistemet amerikane të mbrojtjes funksionuan në mënyrë perfekte, duke ndalur të gjitha raketat. Edhe kjo, sipas tij, është provë e domosdoshmërisë për të ruajtur një industri mbrojtëse të fuqishme dhe të pavarur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos