Rusia mund të lëshojë një tjetër raketë balistike hipersonike në Ukrainë në ditët në vijim. Ky është alarmi që ka ngritur Uashingtoni. Sipas zyrtarëve të Uashingtonit, Rusia nuk do të godasë me Oreshnik, por me një lloj tjetër arme balistike, thekson Reuters.
Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo pritet të ndryshojë edhe rrjedhën e luftës, përcjell A2.
“Ne vlerësojmë se Oreshniku nuk është një ndryshim i lojës në fushën e betejës, por vetëm një përpjekje tjetër e Rusisë për të terrorizuar Ukrainën, e cila do të dështojë”, tha zyrtari amerikan për Reuters. Nga ana e Rusisë nuk pati ndonjë reagim.
Putin ka thënë më parë se Rusia mund të përdorë sërish Oreshnikun, duke përfshirë edhe goditjen e “qendrave vendimmarrëse” në Kiev, nëse Ukraina vazhdon të sulmojë Rusinë me armë perëndimore me rreze të gjatë. Putin ka pohuar se Oreshniku, ose pema e lajthisë, është e pamundur të kapet dhe se ka fuqi shkatërruese të krahasueshme me atë të një arme bërthamore, edhe kur është e pajisur me një kokë lufte konvencionale.
Lufta po hyn në atë që disa zyrtarë rusë dhe perëndimorë thonë se mund të jetë faza e saj përfundimtare dhe më e rrezikshme pasi forcat e Moskës përparojnë me ritmin e tyre më të shpejtë që nga javët e para të konfliktit.
Ndërkohë, sipas burimeve ruse, Ukraina sulmoi një bazë ajrore ushtarake në Rusinë jugore me raketa ATACMS të furnizuara nga SHBA. Ukraina përdori “gjashtë raketa ATACMS të prodhuara nga SHBA” në sulmin në qytetin port të Taganrog në rajonin e Rostovit, tha të mërkurën Ministria ruse e Mbrojtjes.
Dy prej raketave u rrëzuan nga një sistem i mbrojtjes ajrore Panzir, ndërsa të tjerët u devijuan nga pajisjet e luftës elektronike, tha ministria.
Sipas informacioneve, nga sulmi nuk u lëndua asnjë personel i ushtrisë. Megjithatë, rënia e mbeturinave shkaktoi "dëmtime të lehta" në automjetet dhe ndërtesat e ushtrisë. Informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Ministria tha se “sulmi nga armët perëndimore me rreze të gjatë veprimi nuk do të mbetet pa përgjigje”. (A2 Televizion)