Rusia ka kritikuar planet e Bashkimit Evropian për të forcuar mbrojtjen kundër dronëve, duke thënë se përgjigja e bllokut evropian ndaj hyrjeve të dronëve në kufijtë e saj vetëm se do të rrisë tensionet.
Ministrat e mbrojtjes nga dhjetë vende të BE-së u pajtuan një ditë më parë që ta bënin prioritet të bllokut atë që e quajtën “mur për dronët”, pasi disa shtete anëtare janë përballur me një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore javët e fundit, për të cilat kanë fajësuar Rusinë.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se masat do të çonin “në një rritje të tensioneve politike dhe ushtarake në kontinentin tonë”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA Novosti.
Ministria e Jashtme shtoi se planet përbënin “ambicie personale dhe lojëra politike të elitave drejtuese të BE-së”.
Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte e para që bëri thirrje për një “mur për dronët” gjatë një fjalimi të mbajtur më herët gjatë këtij muaji disa orë pasi NATO-ja rrëzoi dronë rusë në Poloni.
BE-ja ka thënë po ashtu se duhet të mësojë nga Ukraina e cila përballet çdo ditë me dronë rusë dhe, për rrjedhojë, ka zhvilluar zgjidhje të lira për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.
Moska ka mohuar se ka shkelur hapësirën ajrore të NATO-s dhe e ka cilësuar reagimin e BE-së si “histeri”, duke shtuar se pilotët rusë u përmbahen rregullave ndërkombëtare të aviacionit. Moska po ashtu ka pretenduar se nuk ka dëshmi se dronët që hynë në hapësirën ajrore evropiane ishin rusë. (A2 Televizion)