
Rusia planifikon të dërgojë një anije të dytë me naftë në Kubë, ndërsa ishulli po përballet me një krizë të rëndë për shkak të bllokadës së vendosur nga Shtetet e Bashkuara. përcjell A2CNN.
Ministri rus i Energjisë, Sergei Tsivilev, deklaroi të enjten se ngarkesa është duke u përgatitur dhe do të dërgohet drejt Kubës.
“Kuba është nën një bllokadë totale; është e izoluar. Cila anije arriti të dërgojë naftë? Një anije ruse e theu bllokadën,” tha ai, duke iu referuar një tankeri rus që mbërriti në ishull më herët gjatë javës.
“Një tjetër po ngarkohet tani. Ne nuk do t’i lëmë kubanezët vetëm në vështirësi,” shtoi ai.
Komentet e tij vijnë pak ditë pasi një tanker me flamur rus, që transportonte rreth 700,000 fuçi naftë, u ankorua në terminalin e naftës në Matanzas, duke shënuar furnizimin e parë të rëndësishëm me karburant për vendin pas rreth tre muajsh.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur një bllokadë ndaj furnizimeve me karburant për Kubën, por ka dhënë një përjashtim për këtë dërgesë për arsye humanitare, duke theksuar se raste të tilla do të shqyrtohen individualisht.
Ndërkohë, Kuba ka përjetuar javë të tëra ndërprerjesh të energjisë, racionim karburanti dhe mungesa ushqimore, pasi SHBA kërcënoi më herët këtë vit me tarifa ndaj çdo vendi që furnizon ishullin me naftë.
Bllokada është cilësuar nga zyrtarët kubanezë si “mizore”. Në kryeqytetin Havana, qindra qytetarë dolën në protesta me biçikleta, motorë dhe mjete të vogla, duke kundërshtuar sanksionet amerikane dhe duke brohoritur: “Po për Kubën! Jo bllokadës!”
Gjatë një vizite në Shën Petersburg, zëvendëskryeministri kubanez, Oscar Perez-Oliva, deklaroi se Havana dhe Moska kanë nisur përpjekjet për të siguruar stabilitet në furnizimin me karburant, si dhe për të rritur përfshirjen e kompanive ruse në kërkimin dhe prodhimin e naftës në Kubë.
Ndërkohë, Trump ka deklaruar se nuk ka “asnjë problem” me dërgimin e naftës nga Rusia drejt Kubës, duke shtuar: “Kuba ka përfunduar… ka një regjim të keq dhe lidership të korruptuar, dhe pavarësisht nëse marrin apo jo një anije me naftë, nuk do të bëjë diferencë.” (A2 Televizion)