Senati i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar të enjten planin e presidentit Donald Trump për shkurtime në vlerë 9 miliardë dollarë në financimin e ndihmave amerikane në botë dhe transmetuesve publikë, duke i dhënë presidentit republikan një tjetër fitore.
Me 51 vota pro dhe 48 kundër senatorët e kaluan kërkesën e Trumpit për të shkurtime në vlerë prej 9 miliardë dollarësh nga shpenzimet tashmë të miratuara nga Kongresi.
Shumica e shkurtimeve janë për programe që ndihmojnë vendet e huaja për t’i luftuar sëmundjet, luftërat dhe fatkeqësitë natyrore, por plani gjithashtu ndalon plotësisht 1.1 miliardë dollarët që Korporata për Transmetimet Publike do t’i merrte gjatë dy vjetëve të ardhshme.
Trump dhe shumë nga republikanët e tjerë argumentojnë se shpenzimet për transmetimet publike janë të panevojshme dhe e kritikojnë mbulimin e lajmeve të tyre si të njëanshëm.
Paketa të veçanta për anulime të fondeve nuk kanë kaluar prej dekadash, pasi ligjvënësit kanë hezituar ta dorëzojnë kontrollin kushtetues mbi shpenzimet. Por, republikanët e Trumpit, të cilët kanë shumicë të ngushtë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë treguar pak dëshirë për t’i kundërshtuar politikat e tij që nga fillimi i mandatit të dytë në janar.
Nëntë miliardë dollarët në fjalë përfaqësojnë një shumë goxha të vogël në krahasim me buxhetin federal prej 6.8 trilionë dollarësh, dhe janë vetëm një pjesë e vogël e fondeve të miratuara nga Kongresi që administrata Trump ka mbajtur pezull teksa synon shkurtime të mëdha, shumë prej të cilave të urdhëruara nga Departamenti për Efikasitetin Qeveritar (DOGE) i drejtuar nga miliarderi Elon Musk.
Sipas ligjvënësve demokratë, deri në mesin e qershorit, Trump kishte bllokuar 425 miliardë dollarë financime të miratuara më parë nga Kongresi.
Megjithatë, Trump dhe mbështetësit e tij kanë premtuar më shumë kërkesa për "anulim fondesh", në përpjekje për ta tkurrur qeverinë federale.
Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin për anulimin e fondeve muajin e kaluar me 214 vota pro dhe 212 kundër, pa ndryshuar kërkesën e Trumpit. Katër republikanë iu bashkuan 208 demokratëve për të votuar kundër.
Por, pasi disa senatorë republikanë shprehën shqetësim për shkurtimet në programet globale shëndetësore, drejtori i Zyrës për Menaxhimin dhe Buxhetin, Russell Vought, tha të martën se PEPFAR, një program global për luftën kundër HIV/AIDS-it i nisur në vitin 2003 nga Presidenti George Ë. Bush, do të përjashtohej nga shkurtimet.
Ky ndryshim e uli shumën e shkurtimeve nga 9.4 miliardë në 9 miliardë dollarë, gjë që kërkon një votim tjetër në Dhomën e Përfaqësuesve para se masa të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë për nënshkrimin e Trumpit.
Anulimet e fondeve duhet të miratohen deri të premten. Përndryshe, kërkesa do të skadojë dhe Shtëpia e Bardhë do të detyrohet të ndjekë planet e shpenzimeve të miratuara nga Kongresi.
Dy nga 53 senatorët republikanë – Lisa Murkowski nga Alaska dhe Susan Collins nga Maine – iu bashkuan demokratëve në votimin kundër legjislacionit.
“Nuk ke pse të shkatërrosh të gjithë Korporatën për Transmetimet Publike”, tha Murkowski në një fjalim në Senat.
Ajo shtoi se administrata Trump nuk kishte dhënë garanci që lufta kundër sëmundjeve si malaria dhe poliomieliti në mbarë botën do të vazhdojë. Mbi të gjitha, Murkowski tha se Kongresi duhet të ruajë rolin e tij në vendosjen e mënyrës se si shpenzohen fondet federale. REL (A2 Televizion)