Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Marlind Laçi, ka paralajmëruar se konflikti në Iran mund të zgjasë dhe të sjellë pasoja të gjera në Lindjen e Mesme.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Laçi u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të tërhiqen në një moment të caktuar, pasi të konsiderojnë se kanë arritur objektivat e tyre.
Sipas tij, nëse situata nuk sjell ndryshime të thella në strukturën e regjimit iranian, SHBA mund të vendosë të mos e vazhdojë më përfshirjen direkte në konflikt.
Eksperti theksoi se edhe në rast të një tërheqjeje amerikane, pasojat do të jenë afatgjata, duke paralajmëruar për përplasje të vazhdueshme mes Iranit dhe Izrael.
“Unë gjykoj tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një moment apo një tjetër, amerikanët do të lodhen me shantazhin publik, politik dhe ndoshta edhe konspirativ që ushtrohet ndaj tyre dhe do të shprehen se tashmë i kanë arritur objektivat e tyre.
Nëse regjimi nuk pëson frakturë apo rënie, atëherë SHBA nuk kanë çfarë të bëjnë më në rajon, përfshirë edhe në Kanalin e Hormuzit, dhe për pasojë do të tërhiqen. Por pasojat do të mbeten afatgjata, pasi do të ketë përplasje të vazhdueshme mes regjimit të ajatollahëve në Iran dhe Izraelit në Tel Aviv.
Më pas mbetet për t’u parë nëse Izraeli ka kapacitetin që të veprojë pa mbështetjen amerikane dhe të marrë rol dominues në Lindjen e Mesme. Nëse kjo ndodh, atëherë mund të kemi zhvillime të reja në rajon.
Në momentin që bazat amerikane nuk rivendosen në Lindjen e Mesme, unë parashikoj destabilizim të vendeve të Gjirit, si Kuvajti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite. Me rënien e këtyre regjimeve, që shpesh konsiderohen si qeveri të varura, mund të kemi një riformatim të plotë të regjimeve në rajon.”, tha Laçi. (A2 Televizion)