
Presidenti i SHBA-së deklaroi sot se Irani ka rënë dakord me kërkesën kryesore të SHBA-ve, që është të mos zotërojë kurrë armë bërthamore, ndonëse negociatat diplomatike janë ende në zhvillim. Deklarata u bë gjatë një konference për mediat nga Zyra Ovale.
Sipas Presidentit amerikan bisedimet mes dy palëve vazhdojnë, por ai beson se objektivi kryesor i Uashingtonit tashmë është arritur.
Presidenti amerikan gjithashtu u shpreh se mendon që lufta është fituar, ndonëse duket se e kundërshtoi veten kur u shpreh: “Mendoj se do ta përfundojmë, por nuk mund t’ju them me siguri.”
Ai u tha gazetarëve se beson që edhe një tjetër synim i SHBA-së, ndryshimi i regjimit në Iran, është realizuar. Sipas tij, tashmë edhe niveli i tretë i drejtuesve është larguar dhe, duke qenë se lidershipi kryesor nuk është më në kontroll, ai konsideron se ka arritur atë që synonte.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se në negociata janë përfshirë zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i dërguari Steve Witkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner. (A2 Televizion)