
“Kryeministri Edi Rama ndodhet në krizë imazhi dhe legjitimiteti”. Kështu është shprehur deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, një ditë pasi kreu i qeverisë njoftoi aplikimet për zgjerimin e komunikimit qeveritar.
Këlliçi e cilëson agjencinë si strukturë propagande dhe censure, duke pretenduar se zgjerimi i saj tregon se Rama po i përgjigjet pakënaqësisë qytetare me më shumë propagandë dhe kontroll të informacionit.
Ai paralajmëron gjithashtu se Rama do të përballet me drejtësinë, për ato që i cilëson si afera dhe krime financiare.
Njoftimi i plotë në Facebook
Në krizë imazhi dhe legjitimiteti, Edi Rama shton punonjësit e propagandës.
Në kohën kur imazhin e ka të rrënuar, kur është në krizë totale legjitimiteti prej revoltës popullore që ka shpërthyer kudo në Shqipëri ndaj tij, Edi Rama mendon se zgjidhja është: më shumë propagandë.
Pra jo më shumë reflektim, jo më shumë tërheqje, jo më shumë pranim i dështimit, por më shumë luftë, më shumë mashtrim, më shumë deformim të realitetit, më shumë keqinformim.
Këtë e tregon njoftimi i bërë publik ku Agjensia për Media që është në rang ministrie, kërkon të shtojë organikën. Nuk bëhet fjalë këtu për specialistë, por për punëtorë të propagandës.
Këtë lajmërim e ka ndarë vetë Rama në rrjetet e tij sociale, siç nuk e ka bërë për agjensi apo zyra të tjera që ka nën varësi.
Agjensia e Ramës në fakt është një drejtori censure, kontrolli dhe shpërndarje të mesazhit që i intereson Kryeministrit dhe s’ka asnjë lidhje me transparencën apo komunikimin. Edhe pse e kritikuar edhe nga organizata ndërkombëtare të medias për rolin e saj, vijon të fryhet e zmadhohet.
Edi Rama nuk po e kupton se pankartat me letër A4 dhe me shkrim dore në shesh, janë kanë hedhur në tokë investimin shumë të shtrenjtë që ai bën prej vitesh në propagandë, me mediat që kontrollon e me rrjetin e opinionistëve që mban e me favoret e paratë që shpërndan.
Tani Ramës mund t’i hyjnë në punë vetëm avokatë të mirë.
Shpejt, kur të mos ketë më pushtetin që ka, do të përballet me drejtësinë për shumë afera e krime të rënda financiare. (A2 Televizion)