
Këshilli Bashkiak i Selenicës është mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, ku në qendër të diskutimeve ka qenë kundërshtimi i projektit për bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës.
Gjatë mbledhjes ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili ka shprehur qëndrimin e tij kundër këtij bashkimi. Ai argumentoi se Bashkia e Selenicës duhet të vazhdojë të funksionojë si një njësi vendore më vete, duke theksuar se shkrirja me Vlorën do të dëmtonte përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës.
Bellaj paraqiti një sërë argumentesh në mbështetje të këtij qëndrimi, duke theksuar se Selenica ka identitetin, territorin dhe nevojat e saj specifike, të cilat sipas tij kërkojnë një administrim të pavarur. Ai ritheksoi se do të vazhdojë të kundërshtojë projektin e bashkimit dhe të mbrojë interesat e banorëve të Bashkisë Selenicë. (A2 Televizion)