Jo vetëm presidenti amerikan, Donald Trump, por tani edhe djali i tij, Barron, është në shënjestër të kërcënimeve iraniane. Shërbimet Sekrete amerikane kanë thënë se janë në dijeni të një videoje të transmetuar në televizionin shtetëror iranian, ku kërcënohet me jetë djali i vogël i kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, kanë qenë në disa raste objekt i kërcënimeve nga mediat e linjës së ashpër në Iran, që prej vrasjes së Ajatollahut Ali Khamenei, por kjo është hera e parë që Barron përmendet publikisht.
“Shërbimet Sekrete janë në dijeni të videos dhe po hetojnë gjithçka që mund të perceptohet si kërcënim për personat nën mbrojtjen tonë”, tha një zëdhënës i Shërbimeve Sekrete për CNN.
Videoja, e cila zgjat rreth tre minuta, nis me një grafikë në anglisht ku shkruhet: “Ku të vrasim Barron Trump?!”. Më pas, ajo përmban pamje dhe grafika që tregojnë vendet ku dihet publikisht se i riu Trump kalon kohë, përfshirë edhe Trump Tower në Nju Jork.
Në fund të videos, narratori shprehet se njerëzit po “prisnin me padurim të merrnin një shpërblim prej 10 milionë dollarësh”.
Një burim nga forcat federale të zbatimit të ligjit i tha CNN se videoja është pjesë e një fushate kërcënimesh ndaj familjes Trump. Disa prej videove kanë përfshirë detaje mbi lëvizjet e anëtarëve të familjes, madje edhe sugjerime për vrasjen e tyre. (A2 Televizion)