Tensionet rreth Hotelit Bell në Epping të Britanisë së Madhe kanë shpërthyer në dhunë dhe trazira, pas akuzave për sulme seksuale nga një azilkërkues dhe dy raste zjarrvënieje të dyshuara brenda pak ditësh.
Mediat britanike raportojnë se Hadush Gerberslasie Kebatu, 38 vjeç, nga Etiopia, u arrestua pasi akuzohet për tre sulme seksuale ndaj femrave, përfshirë një nxënëse, vetëm tetë ditë pasi kishte mbërritur në Britani me varkë. Në një rast tjetër një banor i hotelit, Abdul Rahman, 36 vjeç, u akuzua për zjarrvënie të qëllimshme në dy hotele që strehojnë emigrantë.
Ngjarjet ndezën protesta të dhunshme jashtë hotelit, ku grupe anti-migrantë dhe protestues u përplasën fizikisht. Disa roje sigurie mbetën të plagosur, ndërsa të martën në mëngjes, hoteli u gjet i mbuluar me grafite raciste si “Shko në shtëpi” dhe “Kjo është Anglia”. Një dritare u thye dhe policia ngriti gardh mbrojtës për siguri.
Policia e Essex-it ka nisur një hetim të thelluar, duke theksuar se incidentet janë të rënduara nga urrejtja racore. “Nuk do të tolerojmë krime të dhunshme të kësaj natyre,” tha një zëdhënës, duke shtuar se oficerët po shqyrtojnë pamjet e kamerave të trupit për të identifikuar përgjegjësit.
Ndërkohë, komuniteti lokal mbetet i ndarë. Disa banorë dhe politikanë kërkojnë mbylljen e menjëhershme të hotelit, duke pretenduar se vendosja e azilkërkuesve është bërë pa transparencë dhe ka ndikuar në sigurinë. Ndërkohë, këshilli vendor dhe disa organizata bamirësie mbrojnë qëndrimin se nuk ka prova për rritje të krimit të lidhur drejtpërdrejt me hotelin.
Hotel Bell, një godinë historike me 79 dhoma, dikur e frekuentuar nga figura të njohura, u shndërrua në strehë për rreth 100 azilkërkues, kryesisht burra nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme në vitin 2020, si pjesë e një programi emergjent të Ministrisë së Brendshme, gjatë pandemisë.
Banorët kanë raportuar se krimet janë rritur në qytet pasi emigrantët janë zhvendosur, me incidente vjedhjesh, sjelljesh antisociale, dëmtimesh kriminale dhe ngacmimesh ndaj grave në rrugë.
Tensionet vazhduan deri në janar të vitit të kaluar kur u zbulua se The Bell nuk do të ofronte më akomodim për azilkërkuesit pasi kontrata e saj u ndërpre nga Ministria e Brendshme. Qeveria e asaj kohe njoftoi se marrëveshja do të ndërpritej deri në fund të prillit 2024 dhe se banorët do të zhvendoseshin në "pjesë të tjera të zonës së azilit".
Policia vazhdon të ketë një prani të shtuar në zonë për të garantuar sigurinë, ndërsa hetimet për incidentet e fundit janë në vijim. (A2 Televizion)